Zgjedhjet lokale

Veseli në Lipjan: Të korruptuarit nuk do të kthehen në PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka shpalosur platformën për Lipjanin në fshatin Janjevë, ku është premtuar zhvillim ekonomik, arsim cilësor, shëndetësi e shëndosh, bashkëqeverisje me qytetarët, si dhe zero taksë komunale për qytetarët e Lipjanit.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se qyteti i Lipjanit i cili gëzon të gjitha potencialet zhvillimore, ka nevojë për transformim me një qeverisje të përkushtuar, duke premtuar ulje të taksës komunale në zero.

Ai ka garantuar se të gjithë qytetarët e Lipjanit do të jenë të barabartë pavarësisht nëse do të kenë votuar për PDK-në apo jo, përderisa ka shtuar se të rinjtë dhe gratë do të jenë në qendër të objektives së tyre për qeverisje.

“Kryetari Ismet Hajrullahu do të ulë taksën komunale në zero, në të njëjtën kohë hapësirat publike të cilat janë prona publike të Republikës të Kosovës, do të barten pa asnjë kompensim, me zero euro, në shërbim të bizneseve të cilat kanë ide për investime, për prodhim dhe në të njëjtën kohë që kanë ide për të t’i punësuar të rinjtë dhe të rejat tona. Minimum 40 për qind e drejtorive të cilat do të udhëhiqen në qeverisjen e Ismet Hajrullahut do të jenë gra”, ka thënë ai.

Ai ka premtuar qeverisje transparente për qytetin e Lipjanit me në krye Ismet Hajrullahun, ndërsa për ata që nuk janë më pjesë e PDK-së, tha se të korruptuarit nuk do të lejohen të kthehen.

“Një pjesë që na kanë shkuar në shumë parti, i kemi këta kundërkandidat, shumë kanë shkuar, shumë kanë me pas zor me u kthye, sepse s’kemi me i lënë ata që janë të korruptuar, le ta dijë çdo kush”, ka thënë Veseli.

Kandidati i PDK-së për të parin e Lipjanit, Ismet Hajrullahu ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja forcë që mund ta sjellë ndryshimin në qytetin e Lipjanit, drejt një zhvillimi real ekonomik, punësimit, kushteve të dinjitetshme për jetesë, kujdes të rregullt shëndetësor, cilësisë së arsimit për fëmijët e tyre dhe mbi të gjitha drejt sundimit të ligjit.

Sipas tij, 22 tetori nuk është thjesht datë e zgjedhjeve lokale, por do të jetë datë që do të shënojë rilindje për këtë komunë, e cila si djep i kulturës dhe tolerancës që është, mjerisht është keqqeverisur nga qeverisja e deritanishme lokale.

“22 tetori është çlirimi i dytë i Lipjanit, 22 tetori është rilindje për bujkun tonë, rilindje për mësuesin dhe arsimtarin tonë, rilindje për vajzat dhe djemtë tanë, për punëtorin dhe punëdhënësin tonë, rilindje për nxënësin dhe studentin tonë, rilindje për gjithë komunitetet minoritare dhe veçanërisht 22 tetori është rilindje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veprimtaria e të cilave aktualisht është ngulfatur nga pushteti në qytetin e Lipjanit”, tha Hajrullahu.

Gjithashtu, zyrtarë të PDK-së kanë ftuar qytetarët e Lipjanit që të votojnë për kandidatin Ismet Hajrullahu dhe pretendentët për asamblistë të këtij subjekti, duke theksuar se janë e vetmja shpresë për Lipjanin.