Zgjedhjet lokale

Mustafa: Programi i LDK-së në Deçan dhe komuna tjera nuk ka konkurrencë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të shtunën në Deçan se programi i LDK-së dhe kandidati i saj për kryetar të Deçanit, Mal Lokaj, nuk kanë alternativë.

“Jam i bindur se programi për zhvillim ekonomik i LDK-së për Deçan dhe komunat tjera ofron atë që nuk mund ta ofrojë asnjë subjekt tjetër politik. Është program që mundëson zhvillim, punësim dhe zvogëlim të varfërisë”, ka thënë Mustafa.

Ai e ka falënderuar Lokajn për punën e mrekullueshme që po e bën dhe për mënyrën se si është prezantuat para qytetarëve.

“Unë nuk shoh asnjë arsye që z. Lokaj të mos jetë fitimtar në këtë proces sikur edhe asamblistët që janë më të mirët. Në të gjitha degët njerëzit tanë po cilësohen si njerëzit më të mirë dhe ky është kualiteti ynë, prandaj i kemi nominuar gratë dhe burrat më të mirë për kryetarë të komunave dhe për asambletë komunale”, ka pohuar Mustafa.

Sipas tij, LDK është mobilizuar shumë mirë anekënd vendit dhe optimizmi i përgjithshëm është në nivel të lartë. “Kësaj radhe orientimi ynë ka qenë të mos thërrasim tubime të mëdha, por ne të shkojmë te qytetarët. Megjithatë, kemi raste kur ne i ftojmë 50 pjesëmarrës, ndërsa vijnë 300-400 të tillë dhe kjo flet se ata janë të interesuar të fitojnë“, tha Mustafa.

“Ne nuk e dëshirojmë me çdo kusht qeverisjen në Deçan, por mendojmë se qeverisja jonë është larg më e mirë se ato me të cilat janë sprovuar qytetarët e Deçanit. Jemi të bindur se në nëntë komuna që i kemi udhëhequr kemi qeverisur më së miri dhe dëshirojmë që këtë përvojë ta bartim edhe në komuna tjera”, tha kreu i LDK-së.

Mustafa ka premtuar për banorët e Deçanit se me qeverisjen e LDK-së do të ketë përmirësim të infrastrukturës shkollore, rrugore, shëndetësore dhe të fushave tjera, kjo bazuar edhe në vlerat dhe përvojat e LDK-së, në të cilën janë gërshetuar me shumë sukses gjeneratat e vjetra dhe ato më të reja.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Deçanit, Mal Lokaj, ka thënë se Deçanit do t’ia kthejmë qeverisjen që e meriton. “Prioritet të veçantë do të ketë zhvillimi ekonomik. Bujqësia do të ketë një fokus të veçantë, ku për çdo vit do të investojmë nga 200 mijë euro, të cilat me një qeverisje me duar të pastra mendojmë t’i shumëfishojmë, në bashkëpunim me organizma financiarë ndërkombëtarë”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Deçanit, duke shtuar se pemëtaria, blegtoria e bletaria janë mundësi e mirë për zhvillimin e Deçanit.

“Zhvillimi i turizmit do të jetë po ashtu në mesin e prioriteve. Funksionalizimi i Shtëpisë së Kulturës është me rëndësi të madhe, pasi deri tani kjo shtëpi është përdorur për gjithçka tjetër përveç për kulturë“, pohoi Lokaj.

Ai ka thënë se është planifikuar që për studentët e dalluar të ndahen bursa në vlerë deri në 50 mijë euro, ndërsa për të diplomuarit do të ofrojmë një vit pune praktike me pagesë.