Veseli: Bekim Jasharin nuk do ta lënë vetëm as pas 22 tetorit

Veseli: Bekim Jasharin nuk do ta lënë vetëm as pas 22 tetorit

30 shtator 2017 18:04

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, me rastin e prezantimit të kandidatëve të kësaj partie për kuvend komunal në Skenderaj, tha se jo rastësisht Skenderaj ka qenë djepi i UÇK-së dhe PDK-së, ndërsa ka shprehur bindjen se fitorja do të jetë e thellë në këtë komunë.

Ai tha se Kosova ka ecur përpara mjaft shumë, porse ende ka sfida, ndërsa tha se e gjithë kjo ecje përpara është falë PDK-së dhe udhëheqjes së saj.

Veseli tha se PDK ka kandidatë dhe janë krenarë për këtë, dhe do ta sjellin në krye të komunës Bekim Jasharin.

Ai tha se Jasharin nuk do ta lënë vetëm as pas 22 tetorit, por do t’i ndihmojnë edhe më tutje.

Veseli është zotuar se “bashkë me Sami Lushtakun dhe kryetarin Jashari të gjitha projektet e komunës së Skenderajt do të jetësohen”.

Ai ftoi të gjithë qytetarët e Skenderajt që më 22 tetor të dalin në zgjedhje dhe ta përkrahin PDK-në, “jo për inate të dikujt, por për të mirën e Skenderajt dhe qytetarëve të tij”.

Ndërsa, kryetari i PDK-së në Skenderaj, njëherësh kryetari aktual i kësaj komune, Sami Lushtaku, ka falënderuar për tërë këto vite që i kanë besuar PDK-së.

Ai ka përgënjeshtruar zërat se PDK nuk e ka bazën në Skenderaj dhe këtë do ta dëshmojnë më 22 tetor se “Drenica do të mbetet bastion i kësaj partie”.

Lushtaku tha se është nderë për të dhe PDK-në që Bekim Jashari të jetë kandidat për të parin e komunës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme