Zgjedhjet lokale

Nisma me 5 projekte kapitale për qytetin e Gjilanit

Krijimi i zonës ekonomike, ndërtimi i impiantit për ujërat e zeza, ndërtimi i një rruge qarkore, ndërtimi i stadiumit të qytetit dhe ndërtimi i trafikut urban, janë pesë projektet kapitale të Nismës për Kosovën për qytetin e Gjilanit.

I pari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk ka vend tjetër në Kosovë si Gjilani që i përshtatet programi i Nismës, pasi sipas tij programi i kësaj partie në thelb ka solidaritetin dhe qytetarët gjilanas e kanë dëshmuar se janë solidarë.

Ai tha se nuk do të premtojnë dhe nuk do të mashtrojnë gjilanasit për shkak të votës.

“Nuk dëgjuat asnjë premtim dhe nuk do ta dëgjoni as nga unë, e nisi dhe e përfundoj fjalën nuk foli në emër të pozicionit të tij shtetëror si ministër në qeverinë e Kosovës, as unë nuk do të flas si zëvendëskryeministër. Ne nuk vijmë këtu duke shfrytëzuar pozitat tona shtetërore me dhënë premtime e mashtrime në emër të marrjes së një vote. Ky vend ku jemi këtu, kjo sallë është e mbushur me premtime e mashtrime në emër të atyre që dikur kanë mbajtur pushtetin në qeveri, këtu kanë ardhur dhe kanë shkuar qindra ministra e kryeministra dhe kush ka ardhur secili më tepër ka premtuar dhe ka mashtruar Gjilanin”, tha Limaj.

Kandidati i Nismës për Gjilanin, Bajram Hasani, paraqiti programin e tij qeverisës dhe pesë projektet kapitale për zhvillimin e qytetit të Gjilanit.

“Si pikë e parë dhe më e rëndësishme e projektit tim është krijimi i një zone të lirë ekonomike. Unë mendoj se Gjilani ka potencial të mjaftueshëm dhe është domosdoshmëri e kohës në të cilën jetojmë krijimi i kësaj zone ekonomike. Pikë tjetër dhe jo më pak e rëndësishme për Gjilanin është ndërtimi i një impianti të ujërave të zeza, ky është një projekt i madh si për nga rëndësia ashtu edhe për nga kostoja financiare. Për realizimin e tij e kemi parë që ta realizojmë në shtatë faza. Si çdo qytet tjetër edhe Gjilani vuan nga mbi ngarkesa dhe qarkullimi i madh i makinave, ne me ekspertët tanë e kemi paraparë që gjatë qeverisjes të ndërtojmë një rrugë qarkore”, tha Hasani.

Ai premtoi se prioritet të tij do të jetë edhe ndërtimi i një stadiumi me standarde evropiane, si dhe trafiku urban.

Pretendenti nga Nisma për Gjilanin tha se ka ardhur koha e Gjilanit dhe për qytetarin e Gjilanit të qeverisë vetë me komunën e tij.