Zgjedhjet lokale

Premtimet e Ahmetit për Pallatin e Rinisë dhe katër parqe më 2018

Descriptive Text

Në konferencën e sotme për media, kryetari Shpend Ahmeti foli për zotimet e tij për mandatin e radhës që ndërlidhen me parqet, sportin dhe rekreacionin.

“Bazuar në koston e ndërtimit të parkut të “1 Tetori”, ne kemi ndarë buxhet që vetëm gjatë vitit 2018 të ndërtojmë 4 parqe të tilla, dhe për 4 vitet e ardhshme parashohim 15 parqe të ngjashme”, tha Ahmeti.

Ai më tej prezantoi një nga zotimet brenda fushës “Lagjja jonë, me sport dhe rekreacion”, si në vijim:

1 milion në vit për fusha dhe parqe – 4 parqe rekreativo-sportive në 2018 - që në buxhetin e vitit 2018 janë ndarë 1 milion euro për parqe të reja nëpër lagje. Në vitin 2018 janë të parapara 4 parqe që do të ndërtohen në Kodër të Trimave/Arbëri, Kolovicë, Mati 1 dhe Breg të Diellit për të vazhduar në Dardani dhe Larkishte. Çdo vit do të ndahen nga 1 milion euro për parqe, hapësira sportive, etj.

Dhjetë fusha të vogla nëpër lagje – Çdo lagje i ka vendtakimet e veta sportive. Disa në gjendje më të mirë, disa në gjendje të keqe, e disa të improvizuara. Me programin e fushave të vogla do të synojmë lagjet e vogla të Prishtinës.

Themelimi i Drejtorisë së Parqeve për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e parqeve, fushave dhe lojërave për fëmijë - Përderisa po investohet shumë nëpër parqe është e qartë që mirëmbajtja e parqeve është e rëndësishme për shkak të dëmtimit të vazhdueshëm të pronës publike. Për menaxhimin më të mirë të parqeve Komuna e Prishtinës do të krijojë Drejtorinë e Parqeve që do ta ketë funksion kryesor menaxhimin dhe mirëmbajtjen e parqeve në Komunën e Prishtinës. Kjo drejtori do t’i caktojë prioritetet, do të punojë në rritjen e hapësirave gjelbëruese dhe do t’i menaxhojë ato sipas modeleve të shumë kryeqyteteve nëpër botë.

Kalimi i Pallatit të Rinisë në Ndërmarrje Publike Komunale - Pallati i Rinisë dhe Sporteve mbetet ndërmarrje shoqërore në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kjo pamundëson investimet, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e interesit publik. Në vitin 2015 Kuvendi Komunal Prishtinë ka miratuar në mënyrë unanime kërkesën që Pallati i Rinisë të kalojë në Ndërmarrje Publike Komunale sepse Pallati është ndërtuar nga kontributi vullnetar i qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Kalimi i Pallatit do të mundësojë zhvillimin e sportit në komunën tonë.

Renovimi dhe Përfundimi i projektit të Pallatit të Rinisë - Pas kalimit të Pallatit, Komuna e Prishtinës do ta përgatisë një plan aksional për rimëkëmbjen dhe përfundimin e projektit të Pallatit të Rinisë, renovimin e sallës së djegur, ndërtimin e Pishinës Olimpike dhe lidhjen e platosë së Pallatit me platonë e Grandit.

Pishina Olimpike do të përfundojë - Pishina Olimpike është projekt i Partneritetit Publiko Privat. Kjo është prezantuar edhe në konferencën e Investimeve dhe ka patur interesim për këtë dhe projekte të tilla. Me kthimin e Pallatit në Ndërmarrje Publike Komunale Pishina do të jetë prioritet i Komunës së Prishtinës.

Fushat sintetike për futboll - Pas kërkesave të shumta të klubeve të futbollit, Komuna e Prishtinës do të ndërtojë një kompleks të fushave të futbollit me fushë artificiale, të cilën klubet e Prishtinës do ta përdorin për trajnime posaçërisht në periudhat kur fushat e tjera janë të papërdorshme. Është bërë një analizë e lokacioneve potenciale dhe investimeve të nevojshme për të përfunduar një projekt të tillë.