Kandidatët për kryetar të Junikut

Kandidatët për kryetar të Junikut

30 shtator 2017 14:45
Image

Agron Kuçi

Vizioni për Komunën e Junikut, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar të Junikut nga viti 2009 dhe i kandidatit të serishëm të AAKsë për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçi, është që ta bëjë Junikun qendër të turizmit dhe kulturës në Kosovë, duke mos i lënë anash zhvillimin e bujqësisë, bizneseve dhe infrastrukturës në të gjithë territorin e Komunës. Realizimin e këtij programi qeverisës me shumë premtime, magjistri në drejtimin Penal dhe avokati, para se të bëhet kryetar, synon ta arrijë me pesë prioritetet e përfshira në programin qeverisës. Prioritet të parë e ka zhvillimin ekonomik, duke investuar në turizëm, bujqësi dhe biznese, konkretisht në disa projekte, në mesin e të cilave vazhdimin e punimeve për hapjen dhe asfaltimin e rrugës Junik – Jasiq – Gjocaj-Livadhi i Madh– Bjeshkë, elektrifikimin e Bjeshkës së Gjeravicës, ndërtimin e digës në vendin e quajtur Qafa e Jasiqit dhe pendës së ujitjes në Jaruha, hapja dhe trasimi i rrugëve fushore dhe malore, përkrahja dhe zhvillimi i agrobizneseve, nxitjen e investimit të bashkatdhetarëve dhe mbështetjen dhe përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Për infrastrukturë rrugore, Kuçi premton asfaltimin e disa rrugëve, në mesin e tyre edhe rruga në fshatin Jasiq dhe Gjocaj, Junik-Nivokaz dhe Junik-Pacaj. Në kuadër të prioritetit të tretë, Kuçi ka shërbimet publike, civile dhe gjyqësore, si ndërtimin e kompleksit Parku-Qendër (Tregovishtë), funksionalizimin e Qendrës së Regjistrimit Civil dhe atë të Automjeteve dhe funksionalizimin e degës Themelore të Gjykatës në Junik. Prioritet të katërt ka arsimin, kulturën, rinin dhe sportin, ku ai premton ndërtimin e objektit të shkollës fillore “Edmond Hoxha”, ndërtimin e palestrës sportive në shkollën e mesme “Kuvendi i Junikut” dhe stadiumit të futbollit. Kurse në prioritetin e tij të fundit ka shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, ku ai premton ofrim të shërbimeve shëndetësore 24 orë me staf profesional, themelimin e Administratës Pensionale, Entit të punësimit dhe Inspektoratit të punës, si dhe ndërtimi i objektit të banimit për kategoritë e luftës dhe skamnorët.

Image

Tahir Isufaj

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut në këto zgjedhje lokale, Tahir Isufaj, ka qenë themelues i pilot-projektit për krijimin e Komunës së Junikut. Ai ka qenë edhe kryetari i parë i kësaj komune nga viti 2005 deri në vitin 2009. Profesori i kulturës fizike, që aktualisht ligjëron në një kolegj privat, tash serish pretendon postin e kreut të kësaj komune, me ofertën e tij që ka për turizëm, bujqësi, arsim dhe shëndetësi. Prioritet kryesor ka zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë. Ai me programin e tij qeverisës, thotë se do të fokusohet në punimin e tokave që kanë mbetur të papunuara, qofshin komunale apo private. “Një pjesë e tokave bujqësore nuk punohet dhe unë kam në plan që ato toka të punohen në partneritet publiko-privat. Diçka të ngjashme me kooperativat bujqësore, ku do të përfshihen tokat e komunës dhe ato private, të cilat nuk punohen”, thotë Isufaj. Për tokat komunale ai planifikon që të kontraktojë si komunë fermerë të interesuar për shfrytëzimin e tokave, që, sipas tij, shkon në të mirë të zhvillimit të bujqësisë dhe rritjes së punësimit. Ndërsa pronarët e tokave t’i motivoj për punimin e tokave me dhënie të subvencioneve, në mënyrë që ata, siç thotë Isufaj, të kenë leverdi për t’i punuar ato. Isufaj premton se komuna nën qeverisjen e tij do t’i ndihmojë bujqit edhe për plasmanin e produkteve në treg. Ndërsa për zhvillimin e turizmit, ai është fokusuar në zhvillimin e turizmit veror dhe dimëror në bjeshkët e Junikut, konkretisht në shfrytëzimin e potencialit turistik që ka Bjeshka e Gjeravicës. Këtë ai mendon që ta bëjë me ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës 18 kilometra të gjatë, e cila është vetëm e hapur ashtu fizikisht deri në atë bjeshkë, por në gjendje jo të mirë. “Është rruga e hapur deri atje, por vetëm fizikisht dhe e parregulluar apo asfaltuar. Është 18 kilometra dhe atë kam në plan ta ndërtoj me sigurimin e mjeteve nga ndonjë donator apo nga qeveria”, tregon ai me cilat mjete planifikon ta realizojë këtë projekt. Prioritete të tjera janë arsimi dhe shëndetësia, në të cilat ai thotë se do të vërë rend dhe disiplinë. “Synim kryesor i kam shëndetësinë dhe arsimin. Sidomos arsimi është degraduar i tëri me pushtetin e aktual. Me një menaxhim të mirë do të vendosi një rregull dhe disiplinë në punë me stafin ekzistues që është”, thotë Isufaj.

Image

Sylë Gaxherri

Mësimdhënësi i lëndës së biologjisë në shkollën fillore “Edmond Hoxha” në Junik, Sylë Gaxherri, është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Junikut. Edhe ky, sikur kundërkandidati i tij nga LDK-ja, synon të rrisë nivelin e disiplinës dhe orarit të punës në shkolla dhe qendrat e mjekësisë primare. Përveç këtij prioriteti, ai me programin e tij synon edhe zhvillimin e bujqësisë, në të cilën, sipas tij, nuk është investuar asnjë cent deri me tash. “Bujqësinë do ta mbështesim me subvencione nga buxheti komunale, duke investuare dhe në kanale të ujitjes, të cilat janë ndërtuar, por nuk janë punuar mirë. Nga kjo qeverisje aktuale janë harxhuar mbi 80 mijë euro për karburante, dreka e darka, të cilat kanë mundur të investohen në bujqësi. Këto shpenzime do t’i ulim 100 për qind”, thotë Gaxherri. Mundësinë më të madhe për zhvillim ai e sheh në turizëm në të cilin, siç thotë ai, edhe do të fokusohet me investime. “Kemi kapacitet për zhvillimin e turizmit në Bjeshkët e Junikut, në të cilat asnjë cent nuk është investuar. Ne do ta bëjmë këtë në infrastrukturën malore, për ta zhvilluar turizmin në këto bjeshkë”, premton Gaxherri. Mundësia e zhvillimit të turizmit në këto bjeshkë, sipas tij, mund të ofrohet me ndërtimin e vetëm një rruge, e cila, siç thotë ai, edhe nuk kushton aq shumë. “Me ndërtimin e vetëm një rruge me 50 mijë euro investim mund të ofrohet kjo mundësi”, thotë Gaxherri, duke shtuar se në ato bjeshkë do të hapë edhe shtigje për ecje. Ai premton edhe mbështetje të bizneseve të mesme dhe të vogla, por pa lënë anash edhe bizneset tjera. Në listën e tij të prioriteteve vend të veçantë ka zënë një projekt për të rinjtë. “Do të ndërtoj një qendër të rekreacionit në vendin e quajtur ‘Podi i Moronicë’. Aty është një rrafshinë në mesin e pyllit me molika. Kjo qendër do të jetë diçka e ngjashme me pushimoren e fëmijëve në Deçan”, tregon ai projektin që ka për rininë. “Juniku ka mundësi shumë për zhvillim, por veç do punë, të cilën unë do ta bëj”, thotë Gaxherri.

Image

Fatos Shala

Drejtori i deritashëm komunal për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Fatos Shala, është kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Junikut. Ish-mësimdhënësi i gjuhës angleze, objektiv kryesor në programin e tij ai thotë se e ka shëndetësinë. “E kam prioritet që Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare të ofrojë shërbime për qytetarë 24 orë pa ndërprerë. Do ta funksionalizoj edhe dhomën e rëntgenit në QKMF, e cila nuk punon për shkak të një trafo të rrymës. Duam që QKMF-ja të jetë sa më funksionale dhe më ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarë. Në objektin e QKMFsë do të instalojmë edhe kamera sigurie”, tregon ai njërin prej prioriteteve kryesore që ka, në të cilin hyn edhe arsimi. Në arsim, siç thotë ai, do t’i ketë në fokus të veçantë investimet kapitale. “Për ata çka i takojnë komunës, mjetet do t’i orientojmë në investim në arsim, sidomos në rinovimin e objekteve të shkollës fillore dhe të mesme në Junik, sepse kanë nevojë”, thotë Shala. Kurse për zhvillimin ekonomik, ai thotë se do të mbështetet në zhvillimin e turizmit. Prioritet, siç thotë ai, e ka ruajtjen e pyjeve, duke kërkuar që komuna të marrë më tepër përgjegjësi. “Duam të gjejmë një rrugë me ministritë përkatëse dhe Drejtorinë e Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, që edhe ne si komunë të marrim përgjegjësi për ruajtjen e pyjeve, sepse ato bjeshkë banohen prej junikasve”, thotë ai. Në mesin e projekteve, ai ka edhe një projekt, siç thotë, jo të kushtueshëm, por shumë efikas për të zhvilluar turizmin në një pjesë, me hapjen e vetëm të një shtegu. E këtë pjesë, sipas tij, pak kush e njeh. “Juniku ka kanjonin e vet, por shumica e qytetarëve të Junikut, e lëre të tjerët, as që e dinë për kanjonin e Junikut, për shkak se nuk është i hapur një shteg që çon deri të ai e as nuk ka asnjë shenjë apo tabelë treguese se ka i bie ai kanjon. Hapja e atij shtegu, që nuk ka ndonjë kosto të madhe, është e nevojshme dhe do ta bëjmë”, thotë Shala. Pastaj, ai premton edhe asfaltimin e rrugës deri në fshatrat Gjocaj dhe Jasiq. Këto janë ndër fshatrat e vetme sipas tij në Kosovë për të cilat nuk është përkujdesur komuna e as qeveria. “Në këto dy fshatra ka mundësi të zhvillohet turizmi dhe hoteleria, sepse kanë potencialë. Prej tyre mund të shihet edhe gjysma e Kosovës”, thotë Gjocaj. Ai prioritet ka edhe investimet në sektorin e bujqësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme