Abdixhiku: LDK adresa e vetme për biznese dhe zhvillim ekonomik

Abdixhiku: LDK adresa e vetme për biznese dhe zhvillim ekonomik

30 shtator 2017 14:26

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë një debati me komunitetin e biznesit në rajonin e Prizrenit, ka thënë se LDK është adresa e vetme për biznese dhe zhvillim ekonomik.

“Kjo është tryeza e dytë që po e mbajmë, pas asaj në Prishtinë dhe pjesëmarrja është e kënaqshme. Besoj që kur flasim për biznese dhe zhvillim ekonomik në Kosovë, adresa e vetme politike është Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo sepse është e vetmja parti e qendrës së djathtë, e vetmja parti e anëtarësuar në EPP dhe e vetmja parti në Kosovë që organizon tryeza të tilla”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka potencuar se pikëpamjet dhe ofertat e LDK-së ndaj bizneseve janë qenësore dhe të padiskutueshme edhe në alternativën lokale, por edhe në atë nacionale.

Abdixhiku ka shtuar se partitë tjera realisht nuk kanë alternativë për zhvillim ekonomik.

“Ka edhe të tjerë që pretendojnë se japin zgjidhje për zhvillimin ekonomik lokal, por në fakt alternativë e vetme është LDK-ja. Oponentët tanë politikë e kanë mirëmbajtur dhe ushqyer korrupsionin dhe kapjen e shtetit, haraçin dhe shantazhin ndaj biznesit. Të dytët janë ata që mendojnë se ende duhet ndërtuar fabrika të shtetit, e që për biznese kanë oferta deri në 30 për qind të tatimimit të pasurisë suaj dhe ç’është e vërteta të dyja palët janë të zëna me ofendime dhe grushte ndaj njëri tjetrit, ndërsa ne jemi të zënë me ofrimin dhe diskutimin e Platformës për zhvillimin ekonomik lokal në Kosovë”, ka nënvizuar deputeti i LDK-së.

Sipas tij, platforma e LDK-së është ndërtuar në pajtim të plotë me të gjithë kandidatët komunalë.

“Platforma për zhvillim ekonomik lokal përbëhet nga dhjetë shtylla. Ulja e tatimeve komunale, komunikimi më i lehtë, rritja e financimit, krijimi i zyrave për tërheqjen e donatorëve dhe atyre asistuese, hartimi i planeve detale urbanistike, thjeshtësimi i procedurave, modernizimi i kadastrit, mbrojtja e ambientit, mbrojta e gërmimit të lumenjve, ripyllëzimi i pyjeve dhe pika të tjera e përbëjnë platformën e LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka folur edhe për përmirësimin e infrastrukturës, transportit publik, shtimin e parkingjeve, subvencionimi i bizneseve dhe prodhimeve vendore, përkrahja e grave në biznes, ndriçimi publik, uji i pijes, zgjerimi i ngrohjes qendrore etj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme