Abrashi: Prioriteti ynë është Fondi i Punësimit për të rinjtë

Abrashi: Prioriteti ynë është Fondi i Punësimit për të rinjtë

30 shtator 2017 11:22

Gjatë një bashkëbisedimi me kandidatët për asamble komunale nga LDK-ja, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se gjatë mandatit katërvjeçar fokusi do të jetë zhvillimi ekonomik lokal dhe krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë e kryeqytetit, por edhe riaftësimi i atyre që kanë probleme të përfshihen në tregun e punës.

“Në vitin e parë Fondi i Punësimit do të ketë në disponim 1 milion euro nga buxheti i komunës ndërsa do të rritet në vitet në vijim. Këtë fond do të synojmë ta rrisim nëpërmes përkrahjes nga niveli qendror dhe nga donatorët ndërkombëtarë. Ideja është që t'i financojmë idetë e të rinjve për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të përkrahim edhe bizneset ekzistuese për zgjerimin e kapaciteteve të tyre”, ka thënë Abrashi.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, ka thënë se me Fondin Punësimit do të përkrahen të gjitha moshat, të cilat kanë humbur vendet e tyre dhe kanë probleme të përfshihen në tregun e punës, nëpërmes riaftësimeve profesionale.

Ai ka thënë se kryeqyteti i Kosovës ka humbur shumë në këto katër vitet e fundit, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve ta përkrahin atë dhe ekipin që ai udhëheqë për ta bërë ndryshimin e madh në Prishtinë.

“Prishtina ka nevojë për një qasje të re politike. Dhe ajo qasje e re shkon përtej grindjeve politike, përtej akuzave e kundërakuzave, përtej kalkulimeve populiste dhe dogmave ideologjike”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, për katër vjet, Prishtina mbeti peng i këtyre politikave, derisa rrugët e Prishtinës mbeteshin të mbushura me mbeturina, derisa trafiku ishte një kaos i plotë, qyteti po ngufatej çdo ditë e më shumë, ndërsa nuk u ndërtua asnjë shkollë e vetme, e njëkohësisht u rrit tatimi në pronë, u degradua jeta kulturore, e sportive, kurse tepronte buxheti komunal.

“Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Sepse, ky nuk është vetëm qyteti ynë, ky është qyteti i fëmijëve tanë, dhe i pasardhësve të tyre”, ka thënë Abrashi.

Duke u bazuar në përvojën e tij të bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme si ajo e pensionistëve, veteranëve të luftës, pensionioneve të bashkëatdhetarëve në Zvicër e shumë çështje tjera, Abrashi ka ofruar qasje proaktive për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Prishtinës.

“Kjo është qasja jonë e re, koncepti ynë i ri politik për Prishtinën. Unë do të jem kryetar i të gjithëve, do të bashkëpunoj me Kuvendin Komunal, me asamblistët e zgjedhur nga qytetarët e Prishtinës, pavarësisht partisë apo bindjeve, për të gjetur zgjidhje për problemet e Prishtinës. Sepse qytetarët na kanë zgjedhur që të ofrojmë zgjidhje dhe jo të ankohemi për të kaluarën dhe për të tjerët”, ka theksuar Abrashi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme