“LDK shumë shpejt do ta qeverisë krejt Kosovën”, thotë Mustafa në Viti

“LDK shumë shpejt do ta qeverisë krejt Kosovën”, thotë Mustafa në Viti

29 shtator 2017 21:37

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të premten gjatë një tubimi parazgjedhor në Viti se LDK do të fitojë shumicën e komunave më 22 tetor dhe shumë shpejt do të kthehet për ta qeverisur krejt Kosovën.

“Qytetarët e Vitisë do ta rizgjedhin Sokol Halitin sepse këto 4 vjet, kjo komunë është qeverisur shumë mirë. Edhe qytetarët e komunave tjera që janë qeverisur nga njerëzit e LDK-së do t’ua vazhdojnë mandatet kryetarëve të propozuar nga LDK-ja”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, shumë shpejt, LDK do të kthehet për ta qeverisur Kosovën, ashtu siç e ka qeverisur, në mënyrë të përgjegjshme, të pakorruptuar dhe në të mirë të komunave dhe qytetarëve të Kosovës.

“Njerëzit e mirë duhet të qeverisin komunat e Kosovës. Njerëzit tanë kanë qeverisur mirë. Kemi arsye të kërkojmë në Viti vazhdimin e mandatit për Sokol Halitin. Kemi arsye të kërkojmë votën edhe për 8 kryetarë tjerë të komunave që kemi qeverisur dhe t’i fitojmë 8 apo 10 komuna tjera. Nuk janë vetëm aspirata. Janë llogari të qarta, se na takon të qeverisim komunat dhe ne nuk do të vonohemi, sepse Lidhja Demokratike do ta qeverisë prapë Kosovën, dhe prapë do të mbështesim zhvillimin e komunave të Kosovës. Sepse vetëm ne jemi dëshmuar se qeverisim pa u korruptuar, pa skandale, pa afera, që i japim përparësi zhvillimit ekonomik dhe që e drejtojmë Kosovën kah integrimet euro-atlantike dhe që mbajmë miqësinë, siç thoshte Presidenti Rugova, të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti është shprehur i bindur në fitoren e tij dhe listës së kandidatëve të LDK për Kuvendin Komunal të Vitisë.

Ai ka thënë se gjatë katër viteve të kaluara, komuna e Vitisë ka arritur të përmbushë të gjitha premtimet ndaj qytetarëve, madje i ka tejkaluar ato.

“Ne kemi bilanc të shkëlqyeshëm të punës në këto katër vite të qeverisjes. Komuna e Vitisë është vlerësuar nga organizata ndërkombëtare, si komuna që ka përmbushur të gjitha premtimet. Ne jemi bazuar në realizimin e programit tonë qeverisës. Kemi premtuar 14 milionë euro investime, kemi realizuar 19 milionë euro, apo 5 milionë euro më shumë”, ka thënë Haliti, sipas të cilit, qeverisja e tij ka arritur t’u bëjë ballë të gjitha sfidave të trashëguara nga qeverisjet e kaluara në këtë komunë.

“Komuna e Vitisë, është e vetmja komunë e Kosovës dhe në mesin e 3 komunave të Evropës Juglindore që ka arritur pratneritet me Bashkimin Evropian për strategjinë lokale 2020-2030”, ka thënë Haliti, sipas të cilit, ai tashmë ka ndërtuar në detaje strategjinë zhvillimore për 4 vitet e ardhshme.

“Strategjia jonë zhvillimore për katër vitet e ardhshme parasheh 24 milionë euro buxhet, të cilin jam i bindur se do ta tejkalojmë. Jam i bindur se do ta zbatojmë me saktësi këtë strategji zhvillimore në katër vitet e ardhshme”, ka thënë Haliti, i cili ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të komunës së Vitisë që ta mbështesin ekipin e tij dhe të LDK-së, në mënyrë që më 22 tetor të kryhen zgjedhjet dhe të mos ketë nevojë për balotazh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme