VV premton se Dardanës do t’i kthehet zhvillimi dhe bashkimi

VV premton se Dardanës do t’i kthehet zhvillimi dhe bashkimi

29 shtator 2017 21:12

Deputetja Fitore Pacolli nga Vetëvendosje e ka hapur fjalimin e saj në tubimin zgjedhor në Dardanë, duke thënë se pushtetet nëpër komuna e kanë pamundësuar që qytetet të jenë organizime ku qytetarët dhe banorët organizojnë jetën e tyre ekonomike, shoqërore dhe politike.

“Nga qytetarët është kërkuar që të organizohen vetëm në kohë të zgjedhjeve. Atyre iu është mundësuar që qenit aktiv vetëm në momentin kur përzgjedhin udhëheqësin e tyre pastaj mund t’i kthehen detyrave dhe punëve të tyre të përditshme. Kështu qytetet përfunduan në duart e një numri të vogël të udhëheqësve që fatkeqesisht i kthyen qytetet në organizime private për të përmbushur interesat e tyre personale dhe familjare. Por në 2013 me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje! në Komunën e Prishtinës filloj të lëkundet kjo mendësi politike“, ka thënë deputetja Pacolli, duke shtuar se VV në Prishtinë uA ktheu qytetin qytetarëve të saj.

”Kryetarët e mëparshëm dhe kryetari në ikje inkurajuan dhe promovuan mos angazhimin aktiv të qytetarëve sepse kështu e kishin më të lehtë të plotësonin interesat e tyre dhe të mos realizonin kërkesat dhe nevojat tuaja. Si rezultat i kësaj sot Dardana ka shëndetësi të pa zhvilluar, shkolla me infrastrukturë të shkatërruar dhe mungesë të edukimit cilësor. Mbi 90 perqind të fëmijëve të moshës 9 muaj deri ne 6 vjet nuk kanë mundësi të ndjekin edukimin parashkollor“, ka thënë Pacolli.

Në këtë tubim deputeti Albin Kurti, ka thënë se ky qytet i ka dhënë shumë Kosovës, por pas përfundimit të luftës, ai tha që ky qytet u dënua me moszhvillim dhe copëtim përmes decentalizimit mbi baza etnike. Por, ai tha se Dardanës do t’i kthehet edhe zhvillimi, edhe bashkimi, me zgjedhjen e Qëndron Kastratit në krye të saj.

“Lëvizja Vetëvendosje në ekonomi e do prodhimin, në institucione e do drejtësinë, në shoqëri e do barazinë e në komb e do bashkimin. Ky është orientimi ynë i cili na ka sjellur deri këtu, dhe ky është orientimi ynë me të cilin do të ecim përpara“, ka thënë Kurti në këtë tubim.

Kurti ka thënë se qytetarëve të Dardanës iu duhet Lëvizja Vetëvendosje! sepse ata duhet të lëvizin nga gjendja e rëndë aktuale, duke ftuar qytetarët të bëhen bashkë me VV-në sepse vetëm ashtu është e mundshme fitorja.

”Le të mos jetë e ardhmja sikurse e kaluara. Le ta bëjmë ndryshimin që e duam. Le ta përbëjmë ndryshimin që e duam. Le ta bëjmë Qëndronin kryetar“, ishte porosia e Kurtit për qytetarët e Dardanës, të cilëve iu bëri thirrje që të votohet kandidati i VV-së për kryetar të kësaj komune, Qëndron Kastrati.

Kandidati për kryetar të Dardanës, Qëndron Kastrati, e ka filluar djalën e tij në tubimin zgjedhor të VV’së në këtë komunë, duke përmendur zgjedhjet e 11 qershorit, për të cilat tha se kanë treguar se qytetarët e vendit janë mobilizuar kundër të korruptuarve e për një mendësi të re qeverisëse.

“Dardana ishte në mesin e komunave me përkrahjen më të madhe për Vetëvendosje!-n. Ky është treguesi më i saktë që qytetarët e këtij vendi duan t’i ndëshkojnë të korruptuarit, të papunëtorët, e mashtruesit. Qytetarët e këtij vendi e dëshmuan që janë për një mendësi të re qeverisëse. Për njerëz të ndershëm, të dijshëm, që punojnë për qytetarin dhe me qytetarin. Dhe këtë vendim qytetarët e Dardanës do ta përsërisin edhe në këto zgjedhje. Dallimi i vetëm është se këtë herë përkrahja do të jetë edhe më e madhe”, tha në këtë tubim Kastrati, i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës.

Kastrati tha se për ta ndryshuar Kosovën, duhet ta ndryshojmë Komunën, duke shprehur më pas vendosmërinë e tij dhe të VV-së për të ia kthyer Dardanën qytetarëve. E po ashtu shtoi se për këtë komunë ai ka një program të detajuar zhvillimor, duke u zotuar se me qeverisjen e tij në Dardanë do ta sjellë përvojën nga qeverisja e Prishtinës, si modeli më transparent, më i pastër e më i mirë i udhëheqjes.

“Qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje! do të angazhohet që arsimimi të mos jetë barrë por lehtësi për nxënësit e Dardanës. Ne do të ofrojmë shujta falas për nxënësit e klasave të ulëta, dollap personal për secilin prej tyre, e kontrollë sistematike shëndetësore. Do të garantojmë transparencë në secilin punësim. Me mua si Kryetar deri në përfundim të mandatit do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Ujërat e zeza nuk do të derdhen më në lumenjë dhe mbeturinat do të menaxhohen. Shëndetësia është poashtu një nga prioritetet tona! Përmirësimi i gjendjes në këtë sektor është shumë i mundshëm. Ne do të fillojmë duke furnizuar të gjitha qendrat e mjeksisë familjare me barna esenciale. Do të bëjmë renovimin dhe modernizimin e tyre”, ishin disa nga zotimet e kandidatit për kryetar të Dardanës, Qëndron Kastrati.

Ai premtoi edhe rifunksionalizimin e repartit të gjinekologjisë dhe obstetrisë, transparencë radikale gjatë qeverisjes e veçanërisht në prokurim, rihapjen e kinemasë së qytetit dhe luftë të pakompromisë ndaj nepotizmit. Në fund, ai tha se e vetmja alternativë është Vetëvendosje! dhe numri 10, dhe ftoj dardanasit që ta mbështesin ndryshimin, kurse prezantoi edhe listën me kandidatët për Kuvendin Komunal.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme