Zgjedhjet lokale

Pacolli: Do ta lehtësojë të bërit biznes në Kosovë

Kandidati për Kryetarë të Komunës së Prishtinës, nga radhët e AKR-së, Selim Pacolli, vizitoi sot kompaninë e miellit “Fellini” në Prishtinë. Pacolli për së afërmi ka parë kushtet e punës me të cilat kjo kompani funksionon dhe ballafaqohet çdo ditë.

Gjatë kësaj vizite Pacolli theksoi se të bërit biznes në Prishtinë është shumë e vështirë dhe këtë çështje ai premton se do ta lehtësojë gjatë mandati të tij katër vjeçarë.

“Është obligative që ne t’u ofrojmë kushte dhe mundësi secilit biznes por edhe secilit qytetar sepse këto janë obligime komunale, për të cilat unë ende nuk e kuptoj pse ende duhet të flasim. Në vitin 2017 ne ende diskutojmë për problemet e biznesit me ujë, trotuare, drita, gjërat më banale që bota e civilizume i ka tejkaluar që në shekullin e kaluar” tha Pacolli.

Ai shtoi se edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe atë të Tregtisë, do të insistohet që të mbrohet produkti vendorë si dhe të ofrohen kushte më të favorshme për punë.

Po ashtu Pacolli shtoi se do të ofrohen grante të ndryshme, subvencione të ndryshme për bujqit dhe për bizneset e vogla.

“Unë i takojë këtij komuniteti dhe i njoh telashet që janë në teren, unë më së miri i di hallet e tyre ku çdo ditë ballafaqohem me problemet dhe sfidat e të bërit biznes në Prishtinë” u shpreh ai.

Ndërsa pronari i kompanisë “Fellini” tha se shqetësimi i tij kryesor mbetet ndriqimi i rrugës dhe kushtet e tjera të punës në përgjithësi.

Në fund të vizitës së tij Pacolli theksoi se ky është një obligim institucional që patjetër do të përmbushet.