Zgjedhjet lokale

AAK premton 1 milion euro për fermerët rahovecian

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur tubim elektoral me fermerët në Rahovec, ku shpalosi programin qeverisës për bujqësi. Në programin e AAK-së, parashihet që 1 milionë euro do të ndahen vetëm për bujqësi nga Komuna e Rahovecit.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se me Rahovecin i kanë lidhur përpjekjet e bëra për liri, së bashku me njerëzit e këtij qyteti, përderisa ka theksuar se çmon punën e palodhshme që njerëzit e kësaj ane bëjnë çdo ditë, transmeton ksp.

Ai ka garantuar fermerët për tregun për perimtari, përderisa ka shtuar se do të rrisin për 250 euro më shumë shumën që i jepet vreshtarit. Ndërkaq, Haradinaj ka shtuar se duhet të rritet buxheti për Rahovecin.

“Kam filluar përgatitjet për të trajtuar çështjen e kompensimit të dëmeve të shkaktuara, të breshrit, ngricave, ato që janë evidentuar dhe që i kanë komisionet atje. Do t’i marrë përsipër. A mbërrij me i dhënë paret këtë vit nuk e di, por tuajat janë, kemi me i marrë. Njëkohësisht, ju kemi thënë se do të rritet buxheti për bujqësi. Ka me u rritë në vitin që vjen ky buxhet. Kosova duhet me e rritë buxhetin jo vetëm për bujqësinë, por buxhetin për Rahovecin. Në këtë pikëpamje kemi paraparë rritjen e shumës i dedikohet vreshtarit për hektarë, një shumë që për etapën që do të vjen do të jetë për 250 euro më shumë”, ka thënë Haradinaj.

Kandidati për kryetar të komunës, Smajl Latifi tha se aktualisht kushtet nuk janë ideale për bujqësi, për fermerët, për mësuesit, për mjekët për sipërmarrësit dhe për punëtorët. Megjithatë ai tha se kjo do të ndryshojë me qeverisjen e AAK-së në Rahovec. Dhe shtoi se prania e kryeministrit në këtë tubim është dëshmia më e fort për këtë fakt.

“Kryeministri Haradinaj i zgjedhur rishtazi ka zgjedhur pikërisht Rahovecin dhe juve që bashkë me mua t’ju sigurojmë se në mandatin tonë të ri, të përbashkët, ai si kryeministër unë si kryetar komune do të kemi prioritet bujqësinë, dhe juve bujqit duke ju ofruar një platformë konkrete që do ta zhvillojë bujqësinë. Sepse pa bujqësi në Rahovec nuk ka ekonomi, pa bujqësi nuk ka zhvillim, pa bujqësi nuk ka jetë. Jemi të vetëdijshëm se unë jam zotuar publikisht se buxheti për bujqësinë në mandatin tim do të rritet, në vitin 2019 do të arrij në 1 milionë euro nga komuna e Rahovecit”, theksoi Latifi.

Ai tha se gjatë qeverisjes së AAK do të krijohen partneritete të përhershëm dhe do t’i japin përkrahje të projekteve për këshillime, trajnime dhe për projekte që thithin investime në mënyrë që të përmirësohet gjendja e bujqve rahovecian.