Zgjedhjet lokale

Abrashi: Do të vazhdojmë ndërtimin e Shkollës së Muzikës të bllokuar nga pushteti aktual

Descriptive Text

Gjatë një takimi me banorët e lagjeve “Vellusha” dhe “Kacallarëve”, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se posa ta marrë drejtimin e komunës së Prishtinës do të vazhdojë ndërtimin e objektit të Shkollës së Muzikës, e cila për katër vite është bllokuar nga pushteti aktual.

Ai ju ka premtuar banorëve të lagjes mënjanimin e të gjitha gropave, jo vetëm në këto lagje, por në gjithë Prishtinën.

“Ne kemi planin konkret për ndriçimin e qytetit, pastrimin më adekuat, zgjerimin e numrit të parkingjeve dhe përmirësimin e nivelit të pastrimit”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se në bashkëpunim me nivelin qendror do të largojë qentë endacakë, duke respektuar gjithmonë standardet ndërkombëtare të trajtimit të kafshëve.

“Mundësitë janë të mëdha, por ato duhet shfrytëzuar. Jam i zhgënjyer se si Prishtinës i teprojnë rreth 30 milionë euro në vit, ndërsa nevojat elementare të qytetarëve ende nuk janë zgjidhur”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se nga 22 tetori, me fitoren në Prishtinë do të fillojë një etapë e re e zhvillimit të kryeqytetit, dhe si kryetar i komunës nuk do të merret me çështje të mëdha, por me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.