LDK me bindje për fitore hap fushatën në Shtime

LDK me bindje për fitore hap fushatën në Shtime

29 shtator 2017 15:53

LDK ka hapur fushatën për zgjedhjet e 22 tetorit, me shpresën që kjo parti të dalë e para në komunë me në krye kandidatin e saj, Selim Shabani.

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Shtimes, Selim Shabani tha se kjo është ditë e shenjtë për zgjedhjet e 22 tetorit, në të cilat kjo parti synon fitoren e saj.

Ai tha se LDK ka hartuar programin katërvjeçar dhe synim kryesor ka zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale të qytetarëve, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, kulturën, rininë dhe sportet, krijimin e administratës efikase në shërbim të gjithë qytetarëve dhe bizneseve pa asnjë dallim partiak, transmeton Kosovapress.

“Lidhja që e do ndryshimin dhe një të ardhme më të mirë, Lidhja që e do punën dhe mundësinë e barabarta për të gjithë dhe për vlera njerëzore, është Lidhja është që nderon të gjithë qytetarët, në veçanti kategoritë e dala nga lufta. Lidhja jonë thotë se liria është vlera jonë universale dhe askush nuk ka të drejtë ta cenojë atë”, ka thënë ai.

Shabani është zotuar se LDK do ta kthejë qeverisjen e mirë në komunën e Shtimes.

“Qytetarët e Komunës së Shtimes e meritojnë ndryshimin, sepse kanë qenë të privuar për t’u shprehur lirshëm. Janë ata të cilët verbëria e pasurimit personal nuk kanë mundur të punojnë pa interes, por nuk janë ata që mund të përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Shtimes. Ata janë sëmundja e Shtimes dhe ne e kemi ilaçin për këtë sëmundje. Ai është instrumenti i demokracisë, vota e lirë e qytetarëve të komunës së Shtimes”, ka thënë ai.

Ai tha se tash është koha për të vendosur për të ardhmen e Shtimes.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partia që ai drejton është partia e vetme në Ballkan që po tregon qëndrueshmëri dhe është stabile, dhe e cila po ndjek rrugën e Ibrahim Rugovës.

Ai u shpreh i bindur se LDK-ja do të dalë parti e parë në komunën e Shtimes dhe se Selimi është kandidati më i mirë për kryetar të komunës së Shtimes.

“Është me rëndësi që sot po ashtu po shohim se po shtohet numri i njerëzve tanë, numri i anëtarëve të LDK-së, numri i përkrahësve të LDK-së, i simpatizantëve të LDK-së dhe i qytetarëve që përkrahin LDK-në. Tash duhet ta pranojmë që neve na pëlqen kjo që ne të shohim sa më shumë njerëz në radhët tona dhe në përkrahjen tonën, tjerëve nuk iu pëlqen, por fitoja është e jona, sepse kur kemi përkrahje të qytetarëve dhe disa sot vërtet po shpresojnë se LDK-ja po zvogëlohet, tubimet po tregojnë se edhe LDK-ja po rritet”, ka thënë Mustafa.

I pari i LDK-së tha se njerëzit e kësaj partie në zgjedhjet lokale të 22 tetorit janë me etikë dhe profesionalë, të cilët në mënyrën më të mirë do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

“Jam i bindur se LDK-ja, kandidati juaj për kryetar komune dhe kandidati jonë, sepse ne ia kemi dhënë përkrahjen unanime në Kryesi të LDK-së, zotit Selim Shabanit që të jetë kryetari i Shtimes dhe këto zonja e zonjusha e zotërinj që janë këtu me ne të jenë në asamblenë komunale të Shtimes”, ka thënë Mustafa.

Ai ka kërkuar nga elektorati në Shtime që në zgjedhjet e 22 tetorit t’ia japin votën partisë që ai drejton, në mënyrë që LDK-ja të dalë e para në këto zgjedhje dhe të kthejë qeverisjen e mirë në këtë komunë.

Me këtë rast është bërë edhe prezantimi i kandidatëve të LDK-së për asamblistë në komunën e Shtimes.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme