PDK premton një Mitrovicë që nuk do të jetë problem ambiental

PDK premton një Mitrovicë që nuk do të jetë problem ambiental

29 shtator 2017 15:16

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka premtuar partneritet të plotë për bizneset, heqje të taksave dhe dhënie të pronave publike për investitorët, në mënyrë që të gjenerojnë vende pune.

Ai këto premtime i bëri sot gjatë vizitës së bizneseve të ndryshme në Parkun e Bizneseve në Mitrovicë. Sipas tij, transformimi i tërësishëm i Mitrovicës nga një qendër ku ka probleme të mëdha ambientale, do të jetë pjesë parësore e PDK-së në kuadër të platformës programore të zhvillimit ekonomik. Ai ka premtuar qindra vende të reja pune gjatë katër viteve të ardhshme, vetëm në pjesën e rekreacionit dhe të hotelerisë, që do të realizohet në kuadër të projektit të lumenjve Ibër dhe Sitnicë.

“Koncepti jonë programor për komunën, zhvillim ekonomik të Kosovës është që kryetari i komunës të jetë partner i bizneseve, taksa komunale zero, në të njëjtën kohë dhënia e pronave publike për të gjithë investitorët të cilët janë të interesuar të investojnë në komuna. Çdo komunë ku fiton PDK-ja pa dëmshpërblim pagese e ulje të taksave, në mënyrë që të gjenerojnë vende pune dhe në të njëjtën kohë të krijojnë prodhim. Roli i kryetarëve të komunave ku udhëheqë PDK-ja do të jetë që përmes zyrave të veçanta për ndërmarrësit do të jetë këshillues, ofertues, por në të njëjtën kohë edhe implementues i projekteve që kanë të bëjnë me ndërmarrësi…Transformimi i tërësishëm i Mitrovicës nga një qendër ku ka probleme të mëdha ambientale, do të jetë pjesë parësore e platformës tonë programore të zhvillimit ekonomik…Shikoni lumin Sitnica, e kam thënë publikisht dhe po e përsëris, së bashku me kryetaren për katër vite, aty do të punësohen qindra veta, vetëm në pjesën e rekreacionit dhe të hotelerisë. Nuk do të jetë Sitnica ajo që është, do të jetë një vazhdim i projektit nga ura e Ibrit deri tek liqeni… Për minierën e Trepçës si koncept ka një perspektivë dhe do të ketë një zhvillim të fuqishëm ekonomik”, ka thënë Veseli.

Kandidatja për kryetare të komunës së Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Valdete Idrizi, duke premtuar mbështetje të plotë për bizneset në të ardhmen, ka përmendur disa prej masave që do t’i aplikojë për bizneset, siç janë subvencionimi në paga për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, heqja e taksave, krijimi i kompleksit artizanal në Stantërg dhe të ngjashme.

“Themelimi i zyrës qendrore për zhvillim ekonomik ka me qenë hapi i parë…Njëra nga shtyllat e programit tonë është zhvillimi ekonomik, prioritetet janë identifikimi i vazhdueshëm i bizneseve në formë stabile në Mitrovicë… Bizneset sikur ju këtu, mua më obligojnë me garantu një gjë të tillë…Disa prej masave kanë me qenë subvencionimi në paga për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe heqja e taksave, krijimi i kompleksit artizanal në Stantërg,…krijimi i kushteve të turizmit dhe hotelerisë në zonën e Shalës, luginën e Ibrit dhe të Sitnicës”, theksoi Idrizi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme