Zgjedhjet lokale

Mustafa: Cilin projekt e filloi dhe mbaroi VV-ja në Prishtinë

Descriptive Text

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar një debat për punët e kryera nga partia e tij sa ishte në qeverisje të Prishtinës dhe qeverisjen aktuale të kryeqytetit me Vetëvendosjen.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka pyetur se cilat projekte ka nisur dhe përfunduar Vetëvendosja në Prishtinë, pasi sipas tij, shumë prej projekteve që ka përfunduar nga kjo parti, ishin të nisura nga LDK-ja.

“Kërkoj debat dhe opinionin tuaj në ditët në vijim në temën: Çfarë punoi LDK për katër vite në Prishtinë dhe çfarë punoi VV, në fusha të ndryshme. Të gjithë ne e duam një Prishtinë të ndërtuar, të zhvilluar mirë. Këtu jetojmë. Fushata dhe kritikat e ndërsjella, pa marrë parasysh kah vijnë, nuk na bën të ndihemi se i kemi zgjidhur problemet. Duhet të flasim me fakte për të mirat dhe për dobësitë”, ka shkruar Mustafa.

“Para rreth katër viteve u zhvillua një fushatë e gjerë kundër qeverisjes së LDK-së në Prishtinë. Por përkundër kësaj LDK, në raundin e parë mori rreth 44% të përkrahjes qytetare për Kryetar të Komunës. Të gjithë të tjerët, PDK, VV, AAK, PD, AKR, dhe partitë tjera arritën 56%. Përkrahja ishte larg më e madhe për LDK-në. Pse? Çfarë punuam?”

“Projektet e mëdha:
- Filluam projektin e kongjenerimit me Termokosin për ngrohjen qendrore të Prishtinës nga avulli i TC Kosova B, projekt mbi 30 milion euro me Komisionin Evropian, KFW-në, Qeverinë dhe Komunën;
- Filluam ndërtimin e Fabrikës së re të ujit në fshatin Shkabaj, për të zgjidhur për 20 vitet e ardhshme problemin e ujit të Prishtinës. Komuna me Qeverinë e Kosovë, Qeverinë Gjermane dhe Komisionin Evropian. Projekt, po ashtu, me vlerë mbi 30 milion euro.
- Ndërtuam Sheshin Ibrahim Rugova dhe Sheshin Zahir Pajaziti me standardet më të larta, konkurrentë me shumë sheshe të metropoleve evropiane.
Shtroj pyetjen para jush: Cilin projekt të madh për Prishtinën e filloi, ose e filloi dhe e përfundoi Vetëvendosja? Nesër do të jap fakte për fushën e arsimit”.