LDK kërkon mbështetje qytetare për t’ia kthyer dinjitetin Prishtinës

LDK kërkon mbështetje qytetare për t’ia kthyer dinjitetin Prishtinës

28 shtator 2017 19:24

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, kanë thënë të enjten se Arban Abrashi dhe ekipi i tij e kanë përkrahjen e plotë të LDK-së për ta qeverisur Prishtinën në katër vitet e ardhshme, ndërsa kanë kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve për t’ia kthyer dinjitetin kryeqytetit të Kosovës.

Duke folur në hapjen zyrtare të fushatës së LDK-së për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se po e sheh edhe përkrahjen e të gjithë qytetarëve të Prishtinës për Arban Abrashin kryetar dhe një shumicë solide të LDK-së në Kuvendin Komunal.

“Prishtina është kryeqyteti i shtetit tonë, që meriton qeverisje nga njerëz të mirë, të përgatitur e me dinjitet. Që krijojnë ura bashkëpunimi me kryeqytetet tjera. Prishtina është me fat që do ta ketë Arban Abrashin kryetar, sepse ai do të dijë të ballafaqohet me sfidat e kryeqytetit dhe të zgjidhë problemet e qytetarëve të saj”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se Arban Abrashi, si i ri e i shkolluar mirë, si një njeri i martuar dhe si prind, do t’i trajtojë problemet e qytetarëve sikur problemet e tij.

“Si ministër shumë i vyeshëm, ai ka arritur të bëjë reforma në hapjen e vendeve të punës, zgjidhjen e problemeve të pensionistëve, veteranëve, invalidëve, kontratave të rëndësishme me vende të ndryshme për punësimin sezonal të kosovarëve”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se Arban Abrashi është i përgatitur dhe do t’i japë rrugën e mbarë Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.

“Arban Abrashi dhe ekipi i tij nuk ka asnjë pengesë ideologjike, sikur tjerët, që na e rrezikojnë integrimin evropian”, ka thënë Mustafa.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, i ka bërë thirrje anëtarësisë së LDK-së ta mbështesin Arban Abrashin për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe listën e kandidatëve të LDK-së për Kuvendin e ardhshëm Komunal.

Ai ka thënë se LDK do t’ia kthejë dinjitetin banorëve të kryeqytetit të Kosovës, të cilët, pa dallime politike, i ka ftuar ta mbështesin Arban Abrashin dhe LDK-në për ta hequr qeverisjen degraduese dhe për ta kthyer qeverisjen e mirë të kryeqytetit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme