Suksesi i qeverisë së vendit do të testohet në Podujevë, thotë Haradinaj

Suksesi i qeverisë së vendit do të testohet në Podujevë, thotë Haradinaj

28 shtator 2017 18:52

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hapur fushatën zgjedhore në Podujevë, ku zyrtarë të kësaj partie kanë premtuar se do ta ndryshojnë tërësisht gjendjen aktuale në këtë qytet, sa qytetarët do të krenohen me qytetin e vet.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin subjektit, të cilin ai e drejton, Fatmir Humolli, duke thënë se suksesi i qeverisë së vendit do të testohet në Podujevë, për faktin se kjo komunë është në brezin kufitar dhe për hirë të sakrificës së heronjve për liri.

“Ne qeveria duhet ta kthejmë në Llap ata që është borxh për neve, e të fillojë zhvillimi, që jeta të ndërtohet në baza të qëndrueshme për familjet e secilit, që të rinjtë tanë të jetojnë në venin e vetë, të shkollohen, të gjejnë punë dhe që perspektiva e tyre të mos jetë kurrë e tillë, që ne me i lakmuar të rinjve të vendeve tjera. Fatmir Humollit ia kisha besuar fëmijët e mijë, ia kisha besuar të ardhmen e fëmijëve të mijë, ia kisha besuar vlerat më të ndjeshme të kombit tim, ia kisha besuar me qeverisë me komunën time, sepse besoni mundësitë janë të mëdha, nuk është që nuk ka buxhet, nuk është që punët janë aq të vështira, nuk është që nuk ka njerëz Llapi, por duhet me u kthyer në të vërtetën e nderin e vet puna jonë”, ka thënë ai.

Ndërsa pretendenti i AAK-së për të parin e Podujevës, Fatmir Humolli ka thënë se do të angazhohet që së bashku me ekipin e tij të sjellin një administratë funksionale dhe se do të nxjerrin në pah gjithë energjinë pozitive që qytetarët e Podujevës kanë, përderisa gjendjen aktuale e ka quajtur “politikë të mbijetesës”.

është zotuar se me qeverisjen e tij, do të përmirësohet gjendja e tanishme në shëndetësi, duke ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët e komunës 24 orë.

“Kjo politikë e mbijetesës nuk është e drejtë. Qytetari ynë ka nevojë për një politikë zhvillimore, një politikë, e cila krijon kushte që çdo qytetar të ndjehet krenar me komunën e vet, me familjen e vet. Ne jemi të bindur se AAK-ja e ka politikën e drejt, zhvillimore, politikën e cila ka mundësi me i qit në pah energjinë dhe forcën reale të qytetarëve tonë, në të njëjtën kohë me i shfrytëzua resurset e vendit tonë, të cilat janë të begatshme. Në të njëjtën kohë me krijua mundësi reale, mundësi të favorshme, që në mënyrë shumë të shpejt me e përparuar vendin tonë ”, ka thënë ai.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po zhvillon aktivitetet e fushatës me moton "Ndryshimi ka filluar" ndërsa në listën në listën e kandidatëve për komunën e Podujevës janë të përfshirë njerëz të kualifikuar për asamble komunale, raporton KosovaPress

Komentet

Shto koment

Të ngjashme