VV e bindur se do të qeverisë me Mitrovicën

VV e bindur se do të qeverisë me Mitrovicën

28 shtator 2017 18:08

Deputeti Albin Kurti e ka hapur tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, duke thënë se komuna është komunë e mirëqenies.

“Ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarëve ia sjellin rrymën, ujin, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin, këndin e lojërave e fushën e sportit”, ka thënë Kurti.

Ai më tej tha se komuna nuk është vetëm administratë e as vetëm përfaqësim, e as vetëm ndërtesa e tatime. Ai tha se ajo është e tërë: politikë, qytetari, ekonomia, shërbimet dhe publikja.

“Fehmi Ferati, Vetëvendosje dhe numri 10 përbëjnë treshen fituese”, tha Kurti, duke u shprehur i bindur se pas 22 tetorit VV do të qeverisë me Mitrovicën.

Në tubimin e mbajtur të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, kryetari i kësaj partie Visar Ymeri, ka kritikuar pushtetarët për ndarjen që i kanë bërë këtij qyteti dhe për shkatërrimin e vazhdueshëm të Trepçës.

“Trepçën po ua shkatërrojnë, pasurinë ua vodhën, uzurpuan, shitën e privatizuan, vendet e punës ua morën, lumin Ibër e shndërruan në vijë ndarëse, e urën përmbi të në vijë kontrabande, vijë që lidh krimin e organizuar - Veselinoviqi në veri e Veseli në jug. Por ju nuk u dorëzuat. Në këmbë po qëndroni. Gradualisht, por sigurtë, po ua ktheni. Ia kthyet më 11 qershor. Ua shkundët dritat koalicioneve të territ. Tash do t’ua ktheni edhe më 22 tetor”, tha Ymeri.

Ai më tej ka thënë se komuna e qytetarëve është solidare dhe se çdo fshat dhe çdo lagje qyteti i ka nevojat dhe specifikat e veta, por se çështjet lokale janë në të vërtetë edhe çështje qendrore. E për këtë ai tha se trajtimi i tyre si pjesëza të ndara nga tërësia, i zgjidh ato pjesshëm në rastin më të mirë ose zakonisht i lë të pazgjidhura dhe e përkeqëson gjendjen.

“Rrjeti i rrugëve, rrjeti i kanalizimit, rrjeti i ujësjellësit, rezervuarët e ujit, sistemi i ujitjes, planifikimi hapësinor, ruajtja e tokës bujqësore, zhvillimi i bujqësisë, mbrojtja e mjedisit, kapacitetet e energjisë së ripërtërishme, shfrytëzimi efiçient i energjisë, transporti, ndërveprimi ekonomik, ai tregtar, industria e punësimi, nuk mund të zgjidhen në vetëm një qytet, një fshat, apo një Komunë. Këto nuk zgjidhen duke u ndarë. Ato do të zgjidhen duke u bashkuar“, tha po ashtu Ymeri.

Kryetari i VV-së ka folur edhe mbi rëndësinë e investimit në infrastrukturën fizike, arsimore, shëndetësore, prodhuese, energjetike, mjedisore dhe rekreative, si parakusht i mirëqenies dhe zhvillimit. Kurse ka thënë se nuk ka mirëqenie e nuk mund të jemi mirë, kur hapësirat publike zvogëlohen nga uzurpimi, e ajri e uji, trotuaret e rrugët na ndoten nga mospastrimi.

“Janë dy komponentë kryesore me të cilën matet gjendje e një vendi. Zhvillimi dhe liria. Të dyja këto shkojnë bashkë, njëra pa tjetrën nuk bën. Liria është parakusht i zhvillimit. Këtë na e tregon Mitrovica: Pa bashkim të qytetit minierat i kemi të ndara, edhe shkritorja është uzurpuar prej strukturave të Serbisë. Trepça dikur i ka punësuar mbi 24 mijë punëtorë, kurse sot është qyteti me përqindjen më të lartë të papunësisë. Por, edhe e kundërta vlen, pa zhvillim, liria është liri negative, liri për arratisje, për ta marrë botën në sy: Mitrovicës me 56% papunësi, e me numrin më të madh të qytetarëve nën asistencë sociale, më së shumti i është zvogëluar numri i banorëve. Ikjet masive që po ndodhin në nivel vendi viteve të fundit, në Mitrovicë janë fenomen i rregullt“, tha ndër të tjera Ymeri.

Duke potencuar se tokat bujqësore rrinë djerrë të papunuara, se industria po punon për interesa të kompanive të huaja e serbe, e jo për përfitim të qytetarëve tanë, emigrimin e rinisë e varfërinë në rritje, Ymeri iu ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës për ndryshim. Ai ka thënë se është koha që Mitrovica të zhvillohet, të ketë shërbime të mira shëndetësore e arsim cilësor, si dhe zhvillim të bujqësisë.

“Është koha e juaj. Koha jonë. Koha e Fehmi Feratit Koha e Asamblistëve të Vetëvendosjes. Mitrovicës bashkë ia kemi dhënë zemrën. Për Mitrovicën bashkë i kemi thirrur mendjes. Jemi mbledhur rreth numrit 10, dhjetëfish më shumë se të tjerët. Jepja 10-she Mitrovicës. Jepja Fehmi Feratin Mitrovicës! Jepja Vetëvendosjen Mitrovicës që t’ia kthejmë Mitrovicën qytetarëve“, ishte porosia e Ymerit për mitrovicasit.

Kandidatja për Kuvendin Komunal të Mitrovicës nga VV dhe Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Vlora Haxhimehmedi, në tubimin e mbajtur sot ka thënë se udhëheqja e tre drejtorive nga VV gjatë qeverisjes së fundit komunale, e ka dëshmuar se ndryshimi është i mundur.

“Këtë Lëvizja Vetëvendosje e ka dëshmuar përmes presionit për realizimin e shpërndarjes së shujtave për nxënësit e shkollave fillore të Mitrovicës, përmes transparencës në ndarjen e subvencioneve. Përmes mbrojtjes nga privatizime të padrejta si ai që u përpoqën t’i bënin pallatit të sportit ‘Fatime Xhaka’. Përmes përmirësimit të shërbimit shëndetësor dhe hapjes dhe shpeshtimit të vizitave shëndetësore. Me mbështetjen e shtuar për shoqërinë civile dhe klubet sportive, por edhe përmes aktiviteteve të shtuara arsimore si “Mitrovica Lexon” dhe me 50 aktivitete të reja kulturore që ushqejnë shpirtin artdashës të qytetit tonë”, tha Haxhimehmedi.

Megjithatë, ajo këtë e ka quajtur ndryshim të vogël, ndaj bëri thirrje për mbështetje të VV’së, që kjo e fundit ta udhëheq komunën, duke kujtuat se në zgjedhjet e fundit VV doli partia e parë në Mitrovicë.

“Më 22 tetor, me numrin 10, Mitrovica do sjellë ndryshimin e shumëpritur, ndryshimin e vërtetë! Këtë ndryshim e presin më së shumti ata që sot vuajnë në Mitrovicë nga varfëria. Mitrovica është një prej komunave me nivelin më të lartë të pabarazisë në të gjithë vendin dhe me gjendje tepër të rënduar ekonomike. Mitrovica është sot një komunë e copëtuar, të cilës po përpiqen t’i heqin edhe më shumë territor, Kështu strukturat parale të Serbisë po përpiqen të marrin nën kontroll edhe Suhodollin, Gushafcin, Vidishiqin, Vidimriqin e Vinarcin. Më 22 tetor kjo përpjekje e tyre grabitqare do të ndalet një herë e mirë nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha po ashtu Haxhimehmedi.

E thirrje të veçantë, ajo pati për gratë e vajzat e Mitrovicës duke i ftuar në angazhim e mobilizim, për të sjellë ndryshimin që garanton barazi për të gjithë. Në fund ajo tha se fitorja dhe ndryshimi vijnë vetëm më përfshirjen e grave dhe vajzave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme