Zgjedhjet lokale

Pacolli: Duhet zgjidhje radikale për largimin e qenve endacakë

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, ka bërë publik platformën e tij qeverisëse për higjienën dhe për sigurinë në rrugët e kryeqytetit, ku për këtë të fundit ai si problem paraqiti qentë endacak.

Ai tha se disa ditë më herët një fëmijë është sulmuar nga këta qenë duke ju rrezikuar kështu jetën, prandaj ai tha se do të punoj për largimin e këtyre qenve nga kryeqyteti. Madje, ai tha se siç duket duhet të gjendet një solucion radikal, por duke përjashtuar vrasjen e tyre.

“Si duhet ne duhet të gjejmë një solucion më radikal pasi është në pyetje jeta e njerëzve, në këtë rast nuk është në pyetje jeta e kafshëve por është jeta e njerëzve, sepse fëmijët tanë i ekspozohen çdo herë rrezikut nga ta. Eliminimi imediat nga qyteti, të qohen diku. Cila do të jetë besoj që do të gjejmë solucionin, por për neve është esenciale jeta e njerëzve dhe siguria e fëmijëve në rrugë, nënave me fëmijë që janë, pleqve të cilët çdo ditë i kanosen këtij rreziku dhe unë konsideroj që në një mënyrë ma të drejtë që ata duhet të eliminohen një herë e përgjithmonë nga rrugët se janë rrezik për ne. Nuk do të thosha vrasjen, se ne nuk kemi të drejtë të ja marrim jetën askujt, mirëpo duhet të zgjidhet”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket menaxhimit me mbeturina Pacolli tha se qeverisja aktuale e Prishtinës nuk ka bërë asgjë për këtë gjë. Ai mori një shembull kur tha se çdo ditë kalon nga rruga Fehmi Agani dhe se çdo ditë ka kundërmim të kontejnerëve nga pajisjet toksike të cilat hidhen nga QKMF që gjendet në atë rrugë.

Pretendenti për të parin e kryeqytetit nga AKR, Selim Pacolli, tha se me ardhjen e tij në krye të Komunës pastrimi i kontejnerëve do të bëhet gjatë natës ose herët në mëngjes, për të mos penguar qarkullimin gjatë ditës.

“Ne do të ofrojmë një platformë tjetër të pastrimit të qytetit dhe sigurisht që ajo do të jetë natën vonë ose herët në mëngjes se duhet të pastrohet qyteti dhe jo gjithë ditën të ballafaqohemi me kamion të cilët bartin mbeturina nëpër qytet. Kjo nënkupton papërgjegjësi dhe nënkupton që prapë se prapë kamionët shkaktojnë tollovi në qytet”, tha ai.

Gjatë prezantimit të kësaj platforme Pacolli ishte i shoqëruar edhe nga kandidatët për asamblistë për Kuvendin komunal të Prishtinës.