Kandidatët për kryetar të Gllogovcit

Kandidatët për kryetar të Gllogovcit

28 shtator 2017 08:49
Image

Ramiz Lladrovci

Aktualisht është kryetar i Komunës së Gllogovcit. Ai ka qenë ish- ambasador i Kosovës në Tiranë, si dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Është doktor i shkencave juridike, ndërsa studimet themelore i ka kryer në drejtimin e Agroekonomisë në UP. Ai ka thënë se në vitin 2017 meqë ka qenë vetë kryetar i Komunës, vetë e ka projektuar edhe buxhetin e Komunës për vitin 2018, duke iu siguruar qytetarëve të kësaj komune se ky është një buxhet i miratuar për zhvillimin e arsimit, për zyrtarët e Komunës, të shëndetësisë dhe të institucioneve të tjera, se ky është buxhet për bujqësinë, për sportin, etj. “Kështu që unë do t’i realizoj para kohe të gjitha këto projekte, të vëna si prioritete”, ka thënë Lladrovci. Ai ka thënë se sa reale janë këto premtime të tij, qytetarët më së miri mund ta vërtetojnë se si janë realizuar të gjitha premtimet që i ka dhënë gjatë vitit 2016, duke përmendur se ai këtë ia ka dalë ta bëjë me datën 7 shtator, duke i tenderuar të gjitha projektet që i ka premtuar gjatë fushatës së kaluar. “Nuk besoj se ka një kryetar tjetër komune që i ka realizuar kështu të gjitha premtimet që i ka dhënë, sepse jo vetëm qe i kam realizuar këto projekte, por mjetet e mbetura i kam alokuar përmes Asamblesë komunale duke kryer edhe punë të tjera”, ka thënë Lladrovci. Ai ka shtuar se prandaj e kërkon votën e qytetarëve të kësaj komune, në mënyrë që t’i vazhdojnë “sukseset e deritashme”.

Image

Xhavit Drenori

Kandidat nga Vizioni për Drenasin. Ai është profesor i gjuhës gjermane në Qendrën për Gjuhën Gjermane në Drenas, dhe si profesor i kësaj lënde ka punuar edhe në UP. Aktualisht është anëtar i Kuvendit Komunal në Drenas. Ka punuar si multiplikator dhe koordinator për Kosovë i Planeve Simulative për Integrime Evropiane në Gjermani dhe Kosovë, nga 2009 deri tani. Ai ka thënë se programi i tij qeverisës është përqendruar në shtatë shtylla kryesore. Mirëqeverisja është e para, duke thënë se këtu do të punohet për forcimin e sundimit të ligjit dhe çrrënjosjen e korrupsionit, klientelizmit dhe familjarizimit në komunë, etj. Pastaj, janë zhvillimi ekonomik dhe bujqësia, ku është planifikuar hapja e një zyre inovative për sjelljen e donacioneve dhe investimeve direkte nga brenda dhe jashtë vendit me theks të veçantë biznesmenët nga diaspora. Përkrahja e grave dhe të rinjve për themelimin e bizneseve të reja (start-up) përmes ofrimit të këshillave profesionale dhe lehtësimeve të tjera, nxitja e investimeve në bujqësi dhe blegtori, etj, ka thënë Drenori. “Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike e kemi prioritet përfundimin e infrastrukturës në secilin lokacion të komunës sonë, në sektorin e ujit të pijes, kanalizim dhe rrugë, si dhe mbikëqyrje strikte gjatë ndërtimit të infrastrukturës”, ka thënë ai. Tek arsimi, ai ka premtuar ngritjen e cilësisë përmes monitorimit të mbarëvajtjes së procesit mësimor, mësimdhënien praktike; pajisjen me laboratorë të shkencave ekzakte, si dhe kabinete të informatikës nëpër secilën shkollë. Drenori ka thënë se synon ta ndërtojë një shtëpi për pleq dhe shtëpi për familje skamnore.

Image

Bedri Nika

Kandidati i LDK-së është jurist i diplomuar. Ka punuar në shtetet e jashtme dhe prej vitit 1999 është kthyer në Kosovë, ku ka punuar në biznes privat. Aty punon edhe aktualisht. Ai ka thënë se ka tetë prioritete në programin e tij qeverisës. Ato janë: qeverisja e mirë, përmirësimin e gjendjes në arsim dhe në shëndetësi, në mirëqenie sociale dhe në infrastrukturë, angazhim në rritjen e zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe zhvillimit rural, krijimin e një ambienti të favorshëm për biznese, rini, kulturë dhe sport. “Objektiv ynë është edhe ngritja e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve komunalë, dhe sistematizimi i tyre sipas meritave. Depolitizimi i administratës komunale, parandalimi i ofrimit të shërbimeve në bazë të favoreve dhe familjarizimit , menaxhimi pasurive të komunës në të mirë të qytetarëve të saj dhe në funksion të zhvillimit të Komunës”, ka thënë Nika. Ai ka shtuar se është prioritet edhe fuqizimi i njësisë së Auditimit të brendshëm për kontroll më të mirë financiar, bashkëpunim me media, dhe me institucionet e tjera të Kosovës, si me policinë, prokurorinë e gjykatat, si dhe rritjen e sigurisë publike. “Aty ku preket interesi i qytetarëve, LDK-ja nuk do të jetë aty”, ka thënë Nika. Ai ka theksuar se Drenasit i duhet LDK-ja për ta kthyer ligjshmërinë, për të ndryshuar shëndetësinë dhe për t’i rikthyer investitorët. “Drenasi ka qenë bastion i PDK-së, por më nuk është “, ka thënë Nika. Sipas tij, LDK-ja bazohet në projekte zhvillimore të paraplanifikuara dhe nuk ka asgjë të rastit, kurse hapja e fabrikave atje tash është vetëm për fushatë.

Image

Shemsi Elezi

Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosja ka përfunduar studimet për ekonomi. Ka qenë anëtar i Kuvendit Komunal në Drenas. Ka përvojë shumëvjeçare në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe po ashtu në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ka qenë edhe kryetar i klubit hendbollistik “Drenica”. “Ne më së miri e kuptojmë se çka është Komuna, si hapësirë, si objekt, çka bëhet në të dhe cilat janë fushat që duhen përmirësuar, meqë Komunën e konceptojmë si një vend në të cilin fillon politika”, ka thënë Elezi. Ai ka theksuar se prioritetet e VV-së në programin qeverisës nisin që nga shëndetësia dhe zhvillimi i saj me konceptin “‘shëndeti në shërbim të zhvillimit”. “Kur flasim për shëndetësinë ne mendojmë se duhet të ofrohen shërbime shëndetësore stomatologjike edhe nëpër shkolla, si dhe shërbime që u ofrohen në shtëpi pacientëve, që nuk kanë asnjë mundësi të arrijnë fizikisht në shtëpi të shëndetit ose në Qendrën e Mjekësisë Familjare”, ka thënë Elezi. Ai ka shtuar se VV-ja, po ashtu, e ka prioritet edhe arsimin duke e kthyer atë në shërbim të zhvillimit, urbanizimin dhe zhvillimin i tij, infrastrukturën dhe investimet kapitale. Ndërkohë që mirëqenia sociale do të rregullohet pastaj, përmes zhvillimit të këtyre sektorëve dhe përparimit të tyre, ka thënë Elezi. Ndërsa, bujqësia që, sipas tij, është një ndër sektorët më të ndjeshëm, dhe ku ka shumë vend për zhvillim po ashtu është top prioritet i VV-së.

Image

Arta Ahmeti- Xhylani

Kandidatja nga AAK-ja ka diplomuar në Juridik dhe ka përfunduar studimet e nivelit master të së drejtës civile. Merret me konsulencë në kompani biznesore private dhe me menaxhim të tyre. Ajo ka thënë se Drenasi duhet të ndryshojë qeverisjen, pasi gjatë këtyre viteve Komuna është bërë shtab, ku niseshin aksionet për shkatërrimin e qytetit. Ahmeti-Xhylani ka theksuar se ka vendosur t’i hyjë garës për kreun e Drenasit për ta ndryshuar mënyrën e qeverisjes së tij, pasi që, sipas saj, qytetit i duhet një kryetar që u shërben qytetarëve, pa marrë parasysh nga cila parti vjen, kush e ka propozuar apo kush e ka votuar. “Qëllimi im kryesor që kam vendosur ta pranoj këtë sfidë është sepse dua ta ndryshoj mënyrën e qeverisjes së Drenasit . Shumë njerëz i kanë humbur shpresat që Drenasi mund të ndryshojë dhe qëllimi im është ta ndryshoj Drenasin”, ka thënë Ahmeti- Xhylani. Ajo ka thënë se prioritet i saj do të jetë përmirësimi i gjendjes në arsim, duke shtuar se në Drenas arsimi është degraduar në nivelin me të ulët. “Prioritet tjetër i programit tim qeverisës do të jetë edhe shëndetësia, dhe ne do t’iu mundësojmë qytetarëve shërbime të mirëfillta shëndetësore”, ka thënë Ahmeti-Xhylani. Ajo ka shtuar se edhe rinia do të jetë prioritet i qeverisjes së saj, dhe do të punohet që të këtë shumë aktivitete kulturore që i kanë munguar komunës. “Do ta zhvilloj shumë infrastrukturën, në mënyrë që t’u krijoj ambient të favorshëm për jetë dhe zhvillim si qytetarëve, ashtu edhe bizneseve, por edhe donatorëve”, ka thënë Ahmeti- Xhylan.

Image

Petrit Sinani

Kandidati i AKR-së është ekonomist me përvojë në sistemin bankar. Ai ka premtuar një qeverisje me qytetarin në qendër të vëmendjes. “Jemi të bindur se të gjitha qeverisjet e deritashme në Komunën tonë kanë qenë jofunksionale, prandaj kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për ndryshim janë gjithnjë në rritje”, ka thënë Sinani. AKR-ja, sipas tij, e ka hartuar planin e saj qeverisës për këtë Komunë, i cili do të jetë i konceptuar dhe i koncentruar në këto shtylla kryesore: në zhvillim ekonomik, në arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, bujqësi dhe ambient, urbanizëm, qeverisje të mirë, trashëgimi kulturore, rini, kulturë dhe sport. “Sa i përket zhvillimit ekonomik, përpos përvojës sime në njohjen e sistemit bankar, do të punoj në zvogëlimin e papunësisë”, ka thënë Sinani. Sipas tij, shkalla e lartë e papunësisë , e cila është në Drenas, sidomos tek të rinjtë detyrimisht çon në një varfëri, e cila është jashtëzakonisht e theksuar në këtë Komunë. “Kjo ka bërë që AKR-ja të merret seriozisht me këtë çështje. Prandaj, ne do të zhvillojmë të gjitha potencialet dhe resurset që ndodhen në Komunën tonë dhe pastaj do të sigurohemi që sa më shpejt që është e mundur të kalojmë, nga projektet e infrastrukturës me të cilat u mësuam të merremi që nga paslufta, në zhvillimin e prodhimit, bujqësisë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, ka thënë Sinani.

Image

Idriz Hajdari

Kandidat nga Iniciativa qytetare për Drenasin. Ai ka diplomuar në shkenca politike në UP, dhe aktualisht punon si zyrtar për rini në Komunë. Në dy mandate ka qenë asamblist i PDK-së në këtë Komunë. Ai ka thënë se prioritet në programin e tij qeverisës e ka infrastrukturën, në mënyrë që të ngrihen kapacitetet e Komunës, si në ndërtimin e objekteve institucionale, ashtu edhe atyre për rini dhe sport. Ka thënë se ndër punët e para që do të bënte si kryetar komune, është ndërtimi i një shtëpie të kulturës. “Unë do të merrem shumë me qetësimin e Drenasit nga sundimtari, Ramiz Lladrovci, sepse ai ka ardhur që ta sundojë Komunën, jo të qeverisë”, ka thënë Hajdari. Sipas tij, Lladrovci e ka trazuar Drenasin, prandaj komuna ka nevojë për rikthimin e qetësisë. “Prandaj, unë kam dalë i pakënaqur nga kjo parti dhe po konkurroj me një iniciativë të re, në mënyrë që të punoj që në arsim të bëj kthesa të mëdha, duke u angazhuar në ngritjen e cilësisë dhe stabilizimit të këtij sektori”, ka thënë Hajdari. Ai ka thënë se në shëndetësi nuk mund të bëjmë mrekulli, sepse buxheti i Komunës është i vogël, por së paku në vitin e parë mund të investojmë deri në dhjetë mijë euro në QMF që ajo të funksionojë 24 orë, dhe t’i ketë barnat elementare të listës esenciale”, ka thënë Hajdari.

Image

Isa Xhemajlaj

Kandidati i partisë “Nisma për Kosovën” ka tri diploma universitare, një në gjeografi, një histori dhe një në drejtimin “Menaxhim të emergjencave”. Ka punuar në arsim 10 vjet, pastaj në TMK dhe aktualisht është zyrtar në FSK. “Prioritet kryesor e kemi zhvillimin ekonomik, krijimin e hapësirave për bizneset ekzistuese dhe investitorët, pasi që përmes tyre mendojmë që ta bëjmë punësimin e të rinjve, meqë në Drenas papunësia është shumë e theksuar”, ka thënë Xhemajlaj. Ai ka thënë se, po ashtu, do të punohet që t’u ofrohet ndihmesë punëtorëve të arsimit për ngritjen e cilësisë në arsim dhe depolitizimin e këtij sektori. “Ndërtimi i dy shkollave po ashtu edhe i kabineteve për lëndët e caktuara është një tjetër prioritet yni”, ka thënë Xhemajlaj. Në shëndetësi ai ka thënë se do të punohet në ofrimin e ndihmës dhe rritjen e buxhetit për shëndetësinë, sigurimin e pajisjeve dhe barnave të listës esenciale, të cilat mungojnë tani. Në fushën e mirëqenies sociale, ai ka thënë se “Nisma” do të kujdeset që të mos ketë asnjë familje që nuk do të ketë së paku një të punësuar- prioritet familjeve me asistencë sociale, duke iu ofruar ndihmë bizneseve që marrin punëtorë nga asistenca sociale. “ Në fushën e bujqësisë, fermerëve do t’u ofrojmë ndihmesë në bërjen e projekteve, sepse ata se kanë idenë si të bëjnë projekte për të fituar grantet”, ka thënë Xhemajlaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme