Zgjedhjet lokale

Kurti kërkon ndryshim qeverisjeje në Besianë

Gjatë tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje! në Besianë, deputeti Albin Kurti, ka ftuar qytetarët e kësaj komune të bashkohen për ndryshim, duke e votuar Ajet Poterën për kryetar të kësaj komune, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

Ai tha në fillim të fjalës së tij se vetëvendosja është themeli ideor, parimi shoqëror, projekti kombëtar dhe misioni ynë politik.

“Demokracia ndodh aty ku ka vetëvendosje, pa vetëvendosje nuk ka demokraci. Kur populli e qytetarët vendosin vetë aty situata është demokratike, e kur fiton Vetëvendosje!, atëherë ka fituar demokracia, ka fituar shoqëria dhe mbarë popullsia”, ka thënë Kurti ndër këtij tubimi.

Tutje, ai ka thënë se numri 10 me 22 tetor e ndanë të mirën nga e keqja, kurse ka shtuar se nuk mund ta zhvillojnë Llapin e Gollakun ata që kanë përfituar nga mungesa e zhvillimit.

“Një kryetar që do të dëshironte ta shpallnin edhe mbret, është i vetëmjaftueshëm dhe shpërfillës. Ai rrethohet prej servilëve të oborrit, që kryejnë punë për familjen që sillet si mbretërore”, ka thënë po ashtu Kurti teksa ka folur për Agim Veliun.

Ai ftoi që të votohet Ajet Potera, duke thënë se me fitoren e tij do ta nxjerrim Llapin nga pazari i pushtetarëve e pushtetarët nga komuna.