Zgjedhjet lokale

Potera i VV-së kërkon një kapitull të ri për Besianën

Kandidati për kryetar të Besianës nga VV, Ajet Potera, në tubimin zgjedhor, ka thënë se kjo komunë është katandisur ndër trevat më të pazhvilluara të vendit, përkundër resurseve natyrore e njerëzore që ka, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net .

“Llapi, që shquhet me një histori të bujshme nëpër kohë të ndryshme, që njihet për bukuritë dhe pasuritë e tij, për njerëzit e tij punëtorë e mikpritës, është katandisur, nga pushtetmbajtësit aktual, në një trevë anemike, ku mbretëron letargjia, ku jeta është rutinizuar brenda orekseve grupore e klanore; me një ekonomi të abuzuar, me arsim të stërkequr, me shëndetësi të degraduar, me kulturë të injoruar, me profesionistë të mënjanuar, me talente të ndrydhura, me administratë të burokratizuar e te pastimuluar, me shërbime publike të diferencuara e jocilësore”, ka thënë Potera, duke potencuar se kjo fotografi e komunës është pasojë e një qeverisjeje të keqe.

“Në dorën tuaj është mundësia që, bashkë, të nisemi rrugës që ky vend e meriton, rrugës, të cilën do e ndërtojmë bashkë për një jetë të ndershme e të dinjitetshme, për një ekonomi të shëndosh e gjithëpërfshirëse, për një arsim cilësor; për një përkujdesje shëndetësore e sociale, çfarë e meritojnë qytetarët; për një kulturë që shpreh vlerat e mirëfillta të vendit tonë dhe njerëzve tanë, për një administrate moderne e të motivuar, për shërbime publike kualitative dhe gjithëpërfshirëse”, tha më tej Ajet Potera.

Potera shtoi po ashtu se heronjtë e kësaj ane nuk do injorohen më, por do qëndrojnë në ballë të vendit, ashtu siç e meritojnë.

“Prandaj, më 22 tetor ejani me mendje të ftohtë e zemër të ngrohtë, ejani ta hapim një kapitull të ri të jetës sonë. Votoni numrin 10 që drejtësia, sinqeriteti, profesionalizmi, suksesi të shumëzohen me dhjetë”, tha Potera, i cili më pas prezantoi edhe kandidatët për Kuvendin Komunal të Besianës.