Vetëvendosje në Podujevë premton luftimin e ndarjes fshat - qytet

Vetëvendosje në Podujevë premton luftimin e ndarjes fshat - qytet

27 shtator 2017 18:16

Në tubimin e mbajtur të VV’së në Besianë, kryetari Visar Ymeri ka theksuar se qeverisja në këtë komunë ka krijuar ndarjen fshat-qytet dhe fshatarin e cilëson qytetar të dorës së dytë.

“Ndarja fshat-qytet është rezultat i niveleve të ndryshme të zhvillimit. Në fshat mungojnë edhe shërbimet publike më bazike. Fshati sot nuk është i ndarë prej qytetit për shkak se aty zhvillohet bujqësia e blegtoria, por pikërisht sepse ato nuk janë prioritete të pushtetit, as atij qendror e as këtij lokal. Ndarja qytet-fshat në Kosovë është ndarje midis një qendre administrative e tregtare, përkundër mungesës së prodhimit e zhvillimit që prodhon papunësinë. Zhvillimi i pabarabartë, është pabarazi në mënyrën e të jetuarit, për pasojë ushqimin e strehimin, shkollimin e mjekimin i kemi të ndryshëm”, ka thënë Ymeri gjatë këtij tubimi, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.

Tutje, Ymeri ka thënë se përpjekja për përmirësimin e jetës në fshat, sikur në qytet, sikur në lagje të ndryshme të qytetit, është përpjekje për barazi midis qytetarëve, duke potencuar se komuna e drejtuar nga Ajet Potera do të prodhojë politika strategjike për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Orientimi drejt prodhimit; drejt bashkëpunimit mes fermerëve; drejt investimit në teknologji; dhe, në rritje të kapaciteteve përpunuese, e ul koston, e rritë prodhimin, e kështu e rritë punësimin. Shpërndarja e kapitalit edhe në zonat rurale përmes modernizimit të bujqësisë, e nxit dhe përshpejton procesin e urbanizimit të fshatit”, ka thënë po ashtu Ymeri, duke shtuar se komuna e Besianës ka mbetur fare e paprekur nga zhvillimi gjatë këtyre viteve.

“Llapi e Gollaku, Besiana, si gjithë Kosova vuan barrën e rëndë të varfërisë. Kush punon paguhet pak, kurse shumë të tjerë nuk punojnë fare. Shumë të rinj i kemi degdisur në botën e jashtme, pa mundësi për të punuar e jetuar këtu; janë shumë ata që ushqimin e sigurojnë nga dita në ditë, që u shkon dita duke menduar çfarë do të hanë nesër. Por, janë disa të tjerë që marrin dhuratë xhipa prej 40 mijë eurosh: djemtë e Agimit. Secili tender, secili subvencion paguan përqindjen e korrupcionit. Ata janë sekserët”, tha tutje Ymeri para qytetarëve të Besianës.

Ymeri ka thumbuar edhe kryetarin aktual të Besianës, Agim Veliun, për të cilin deklaroi se nga fillimi në fund, është edhe politikan edhe biznesmen. Ai tha gjithashtu se për Agimin thueht se është njeriu më besnik i PDK-së në LDK, dhe aktivisti më i fortë i LDK-së që e ka PDK-ja, duke e cilësuar më pas urë lidhëse mes këtyre dyjave dhe mjet që i shërben rrjetëzimit të korrupcionit mes PDK-së e LDK-së.

Ndërsa për Ajet Poterën tha se ai nuk e braktisi kurrë idealin e UÇK-së pas mbarimit të luftës, dhe e përbrendësoi konceptin politik të VETËVENDOSJE! para se të bëhet aktivist yni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme