Abrashi: Synimi im është modernizimi i Tregut të Madh në Prishtinë

Abrashi: Synimi im është modernizimi i Tregut të Madh në Prishtinë

27 shtator 2017 12:14

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, në kuadër të fushatës zgjedhore, ka vizituar Tregun e Madh në kryeqytet.

Ai me këtë rast u ka premtuar tregtarëve përkrahje dhe zgjidhje të problemeve me të cilat ata përballen.

“Çka pamë është se janë probleme që mund të zgjidhen por që nuk kanë pasur përkrahje nga organet komunale të cilat aktualisht udhëheqin me Prishtinës. E jona që të punojnë për ta. Ata çka ju thash është se ne e kemi derën hapur në Komunë për të gjitha brenga, shqetësimet që i kanë. Qoftë te çështjet pronësore, qoftë tek infrastruktura. Synimi dhe premtimi ynë është që ne të punojmë me gjitha organet tjera shtetëror që të kthejmë këtë pronë në pronë komunale dhe mandej këtë prone komunale të investojë”, ka thënë Abrashi.

Ai ka premtuar se do të bëjë zgjidhje për pronësinë e tregut, qirave dhe përmirësimin e infrastrukturës.

“Ta shndërrojmë një treg bashkëkohor dhe t’ju ofrojmë kontrata shumë vjeçare për gjithë ata tregtarë dhe biznesmenë që punojnë këtu. Janë diku rreth 1 mijë tregtarë me një numër shumë më të madh të punëtorëve, të cilët punojnë dhe funksionojnë këtu dhe meritojnë kushte më të mira për punë si dhe definimin e çështjes së pronësisë dhe qirave, të cilat ata aktualisht i kanë. Besoj që pas një bashkëbisedimi të mirë që e patëm, edhe këta u pajtuan me planin tonë afatgjatë për çështjen e tregut dhe ajo që thashë më herët vullneti im ekziston dhe unë do të jem avokat i tyre që të zgjidhim çështjen e tyre”, tha Abrashi, raporton KP.

Tregtarët nga ana e tyre kërkuan nga kandidati i LDK-së për të parin e komunës së Prishtinës, rregullimin e infrastrukturës për të zhvilluar aktivitetin e tyre sa më mirë, si dhe çështjen e pronësisë së Tregut të Madh.

Me Abrashin në këtë vizitë ishte edhe Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar i LDK-së, i cili kërkoi nga tregtarët që të mbështesin kandidatin e LDK-së, pasi sipas tij është zgjidhja më e mirë për qytetarët.

Gjatë ditës kandidati i LDK-së për të parin e komunës së Prishtinës do të vizitojë edhe njësinë e zjarrfikësve në kryeqytet.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme