Krasniqi në Istog tregon pse është larguar nga PDK

Krasniqi në Istog tregon pse është larguar nga PDK

26 shtator 2017 16:40

Kryetari i Këshillit kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, me rastin e hapjes së fushatës zgjedhore në Istog, është zotuar se kandidatët e këtij subjekti politik nuk do të zhgënjejë asnjëherë qytetarët e Istogut dhe se Nisma për Kosovën, me angazhimin e saj do të ofrojë perspektivë sidomos për të rinjtë.

Ai ka përmendur arsyen e largimit të tij nga Partia Demokratike të Kosovës, duke aluduar se Nisma për Kosovën është subjekti që Kosova sot ka nevojë për të.

Sipas tij, Kosovën duhet ta udhëheqë një subjekt politik që merr vendime të tilla për Kosovën, pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë për to, qoftë edhe nëse shkojnë në opozitë.

Krasniqi: Kurrë nuk jam larguar nga partitë politike për interes personal

“Jam larguar pas lufte nga Partia Demokratike jo për interesa personale, por se kam qenë i bindur se ata njerëz nuk po dinë të qeverisin dhe se ata njerëz nuk po e mbrojnë interesin politik të shtetit tonë. Vetë situata politike në të cilën gjendet vendi ynë, shteti ynë dhe kombi ynë flet më së miri se ata njerëz nuk kanë ditur të qeverisin me këtë vend, nuk kanë ditur të forcojnë shtetin dhe për mua dhimbja më e madhe ka qenë kur të rinjtë e Kosovës, 13-16 vjet pas luftës, perspektivën e tyre nuk e shohin në Kosovë, por e shohin në ikje nga Kosova. Për ne që kemi bërë diçka për këtë vend nuk ka gjë më të rëndë. Nisma dëshiron vërtet që me angazhimin e saj kudo që të jetë, në qeveri, pushtet lokal, të angazhohet për t’iu shërbyer qytetarëve dhe le të angazhohet fort për të krijuar perspektivë për gjeneratën e re, për të ardhmen e këtij vendi”, tha Krasniqi.

Kryetari i Degës së Nismës në Istog dhe bartës i listës, Musa Fetahaj, tha se kandidatët për asamble komunale të Nismës do të jenë shërbyes të popullit e jo sundimtar të tyre.

Fetahaj tha se kandidatët e Nismës do të jenë zëri i popullit dhe se nga sot do të marrin obligime që asnjë fshat i Istogut të mos mbetet pa ujë të pijshëm.

“Ju kështu si kandidatë për asamble komunale nga Nisma për Kosovën në Istog, do të jeni shërbyes të popullit dhe jo sundimtar të tyre. Ju do viheni në shërbim të tyre që t’iu siguroni një mirëqenie më të mirë përgjithësisht. Ju që nga sot duhet të jeni zëri i tyre edhe që nga sot të viheni në veprim dhe të merrni obligime që fshatra të mos mbetën më pa ujë të pijshëm”, tha Fetahaj.

Ndërsa, deputeti nga Nisma, Milaim Zeka, duke kërkuar mbështetje për asamblistët e kësaj partie, tha se Nisma është parti që do t’iu qëndrojë afër të varfërve, pasi sipas tij Kosova, është një prej vendeve më të varfra në botë.

Ndryshe, Nisma në Istog nuk ka kandidat për kryetar, por vetëm bartës të listës dhe kandidatë për asamblistë./N.Jakupi/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme