Zgjedhjet lokale

Kandidati i LDK-së në Klinë, Besim Hoti, premton bashkëqeverisje me qytetarët

Kandidati për kryetar të Klinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besim Hoti zhvilloi takim e simpatizantë të tij në Shtëpinë e Kuvendeve në fshatin Bokshiq të kësaj komune.

Ai së bashku me anëtar të kryesisë dhe kandidatë për kuvendin komunal, gjatë ditës takuan banorët e fshatrave Bokshiq, Grabanicë, Dollovë, Kpuz dhe Qeskovë të Klinës.

Kandidati i LDK-së për kryetar komune, Besim Hoti theksoi se ndihet krenar që gjendet në një nga nëndegët më të mëdha të LDK-së në Klinë.

“Ky objekt ku po mbahet ky takim është vend historik për partinë tonë, pasi pikërisht këtu u themelua, u rrit dhe u zhvillua Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai për Shtëpinë e Kuvendeve, vendi ku u realizua takimi në fjalë.

Hoti në vazhdim theksoi së LDK-ja në qeverisjen e ardhshme në Komunë, do të bashkëvendos më qytetarët për të gjitha projektet që do të kryej gjatë mandatit të saj katër vjeçar.