Zgjedhjet lokale

LDK: Lista jonë në Kaçanik model për Kosovën, 46% e saj përbëhet nga gratë dhe vajzat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të hënën se Dega e LDK-së në Kaçanik, është model për gjithë Kosovën, pasi që 46% të listës për asambleistë i ka vendosur gratë dhe vajzat, ndërsa kandidati për kryetar komune Shkëlqim Jakupi, është ndër kandidatët më të rinj në Kosovë.

“LDK e Kaçanikut i ka dhënë mësim gjithë Kosovës, edhe LDK-së edhe mua personalisht. Ju keni treguar se gratë dhe vajzat janë potencial i fuqishëm i zhvillimit dhe përparimit për shoqërinë tonë”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së, ka thënë se kryetari i ri i Kaçanikut, Shkëlqim Jakupi e ka dijen, përvojën dhe moshën për të qenë një kryetar i suksesshëm. Mustafa ka thënë se kandidimi i Jakupit tregon se LDK po ju jep përparësi një gjenerate të re e cila po krijon një kulturë të re politike për qeverisje të mirë, me duar të pastra dhe në shërbim të qytetarëve.

“Kosova ka nevojë që LDK të qeveris edhe në komunat tjera të Kosovës. Politikat e LDK-së dhe programi i saj janë treguar më efikaset, më demokratike dhe më afër qytetarëve. Në asnjë komunë të qeverisur nga LDK nuk ka pasur afera korruptive, ndërsa interesat e qytetarëve janë përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se LDK ka krijuar një traditë të fortë politike të shtetndërtimit dhe qeverisjes në interes të qytetarëve. “Themelet e kësaj tradite politike i ka vendosur Presidenti Rugova. Tani jemi në një periudhë të re dhe ballafaqohemi me probleme të reja, por rrugën dhe veçoritë do t'i ndërtojmë në frymën e krijuesit dhe themeluesit tonë, Presidentit Rugova. Edhe sjelljen dhe kulturën politike do ta kemi nga trashëgimia e tij politike”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Shkëlqim Jakupi, kandidat i LDK-së për kryetar të Kaçanikut ka thënë se 18 vjet qeverisje nga PDK-ja, nuk është bërë asgjë për këtë komunë.

“Ne kemi zgjidhje konkrete për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimin e rrugëve. Këto janë parakushte për zhvillim ekonomik lokal dhe krijim të vendeve të reja të punës për të rinjtë kaçanikas”, ka thënë Jakupi.

Ai ka shtuar se qeverisja e tij lokale do të bazohet në kulturën politike të LDK-së, bazuar në vlera, integritet dhe shërbim publik për qytetarët.

Jakupi ka premtuar krijimin e zonave ekonomike dhe aftësimin e të rinjve për tu përfshirë në tregun e punës.