Çaushi: E kemi detyrë që Gjakovën të ia kthejmë qytetarit

Çaushi: E kemi detyrë që Gjakovën të ia kthejmë qytetarit

25 shtator 2017 18:39

Kandidati për kryetar të Gjakovës, Driton Çaushi, e ka quajtur 11 Qershorin ditë që solli ndryshimin që Kosova nuk e kishte përjetuar ndonjëherë, gjatë tubimit të VV-së në Gjakovë. Në këtë tubim, ai potencoi se VV u dyfishua, kurse kundërshtarët e saj morën nga populli dënimin e merituar.

“Pa dyshim që ajo që nisi më 11 Qershor nuk përfundon aty. Të gjithë janë të vetëdijshëm që koha kur Lëvizja Vetëvendosje! do të udhëheq me shtetin e Kosovës është shumë e afërt. E në ndërkohë Lëvizja ka një detyrë të rëndësishme para vetes: që Komunën t’ia kthej atij që i takon, e ai është qytetari“, tha para qytetarëve të Gjakovës, Çaushi.

Më tej, ai theksoi që Komuna e Gjakovës ka nevojë për një qeverisje e cila e nxjerrë nga errësira, ku e kanë futur qeverisjet e kaluara, duke u zotuar se ai dhe ekipi i tij do të angazhohen për t‘i shërbyer qytetarit.

“Gjakova përfundimisht ka nevojë për një qeverisje që i kryen detyrat e saj, që qëndron afër me qytetarët, që rrit cilësinë e shërbimeve që i takojnë asaj, në vend se të mirret me premtime që nuk i takojnë e që nuk realizohen kurrë. Qeverisja e Vetëvendosje!-s do të angazhohet që arsimi në Gjakovë t‘i kthehet ditëve të arta të tij, duke shtuar këndet e leximit, laboratorët, por edhe duke siguruar barazi sociale në mes të nxënësve“, ishin disa nga zotimet që Driton Çaushi i dha në tubimin e mbajtur në Gjakovë.

Ai prezantoi edhe listën për Asamblenë Komunale, të cilën e quajti listë të ndryshimit dhe deklaroi që ndihet i privilegjuar që ka mbështetjen e tyre.

Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se vota për Çaushin është votë për përparimin e barazinë. Duke e quajtur Gjakovën vend të luftës çlirimtare e të këngës qytetare, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, e ka hapur tubimin elektoral në Gjakovë. Ai tha se pas 22 Tetorit do ta shohim Gjakovën e gëzuar për fitoren. Ai u shpreh i bundur se Gjakova do të çlirohet nga keqeverisja, shpërfillja e degradimi.

Ymeri tha se në Gjakovë dikur kishte fabrika, kurse sot veç supermarkete e salla dasmash. Ai kujtoi kohën kur Gjakova eksportonte prodhimet e saj gjithandej nëpër Evropë.

Ai nuk ka lënë pa ironizuar edhe me kundërkandidatët e Çaushit. Për Ramadan Hotin e PDK-së, Ymeri tha se në fakt ai nuk është Ramdan Hoti, por emri i tij në këto zgjedhje është Hajdar Beqa në mungesë, e për të cilin tha se nuk i hyri garës sepse e dinte se do të humbiste. Për LDK-në tha se ka hequr dorë, kurse kandidatin e tyre për Gjakovë e quajti më të lodhur se vetë partia e tij. Ndërsa, Mimoza Kusarin e ka quajtur “lule pa rrënjë”, duke e quajtur kandidate pa ekip e organizim. Teksa, Ardian Gjinit të AAK-së ia ka kujtuar deklaratat mbi patriotizmin, e më pas koalicionin e partisë së tij me Listën Serbe, si dhe kohën kur Gjini ishte Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke e akuzuar për degradim të ambientit.

Deputeti Albin Kurti ka thënë në Gjakovë se ndryshimi që e bëri Prishtina në vitin 2013, është i domosdoshëm që të bëhet në Gjakovë me 22 Tetor të këtij viti. Ai ka theksuar se kjo komunë ka dhënë shumë për ekonominë, historinë e kulturën e vendit, por ai tha se pas çlirimit për Gjakovën nuk pati as zhvillim e as drejtësi.

“Komuna është pasqyra ku shikohet qytetari. Te komuna qytetari gjen arkivën e banorëve dhe të punës, si dhe dëshirat e shndërruara në plane. Kryetari juaj i ardhshëm Driton Çaushi dhe asambleistët tonë të ardhshëm këtu në Gjakovë, do të jenë edhe qytetarë aktivë, edhe aktivistë qytetarë”, tha Kurti në këtë tubim.

“Ne angazhohemi jo për një komunë që punëson brenda vetes fitimtarët, por për një komunë që jashtë vetes hap mundësi për qytetarët. E mundësitë janë midis qytetarëve. Komuna i gjen ato dhe ribëhet prej tyre sepse komuna duhet të jetë e qytetarëve dhe qytetarët duhet të bëhen komunitet”, tha po ashtu deputeti Kurti gjatë këtij tubimi, duke theksuar se për VV-në nuk kryhet puna kur vjen në pushtet, por se pikërisht atëherë fillon.

Në fund, Kurti la porosi në Gjakovë se numri 10 është edhe zgjedhja e edhe zgjidhja e vërtetë, duke ftuar ata që me votën e tyre ta vendosin Driton Çaushin në krye të Gjakovës.

Ndërsa deputetja Arbërie Nagavci ka thënë se Driton Çaushi do të triumfojë kundër të keqes, hipokrizisë e regresit.

Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje! po qëndron në qytetin e Gjakovës. Në tubimin zgjedhor në këtë komunë, qytetarëve iu është edhe drejtuar deputetja e këtij qyteti, Arbërie Nagavci. Ajo përmendi faktin që sot VV është partia e parë në nivel vendi, e edhe në Gjakovë, kurse për këtë ajo tha se është rezultat i bashkimit të atyre që e duan ndryshimin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme