Gardianët e trashëgimisë në Prizren reagojnë ndaj posterit elektoral në Kino Lumbardh

Gardianët e trashëgimisë në Prizren reagojnë ndaj posterit elektoral në Kino Lumbardh

25 shtator 2017 18:33

Zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, përmes një njoftimi për media kanë reaguar ndaj vendosjes së një posteri në ndërtesën e Kino Lumbardhit, objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Në komunikatë thuhet se QRTK është informuar për vendosjen e një posteri zgjedhor të një kandidati për këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit, nga media dhe rrjete sociale për një veprim të tillë.

“QRTK në Prizren, informon publikun dhe palët tjera, se një veprim i tillë i pa autorizuar, është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore respektivisht me nenin 6.10, ku shprehimisht thuhet: Trashëgimia arkitekturale nën mbrojtje shenjёzohet qartë me një shenjë të dukshme. Vendosja e materialeve reklamuese në monumentet arkitekturale, ndërtesa te asambleve ose brenda hapësirave konservuese arkitekturale bëhet me leje të shkruar nga Institucioni kompetent”, thuhet në njoftim.

QRTK kërkon nga partitë politike në Prizren të kujdesen që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë në suaza të ligjeve në fuqi, si dhe kërkojmë të përmbahen ndaj përdorimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për qëllime zgjedhore.

“Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga kandidati apo partia e tij që të largojnë sa më shpejtë këtë poster. Në të kundërtën, ne si QRTK, do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore për ta bërë një gjë të tillë”, thuhet në njoftim.

Në murin ballor të QRTK-së poster ka vënë kandidati i LDK-së për asamblist, Xhavit Ukaj. Në zgjedhjet e kaluara poster kishte vënë Enver Hoxhaj i PDK-së.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar edhe Hajrulla Çeku.

“Prapë poster partiak në Kino Lumbardhi, aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Këtë herë me dëmtime fizike ndaj monumentit (gozhda të ngulitura në murin e monumentit). Sipas Kodit Penal të Kosovës, dëmtimi i monumentit të mbrojtur paraqet vepër penale. Gjithashtu, ky veprim paraqet shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore. Prandaj, i ftoj Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (Samir Hoxha) dhe Këshillin për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike (Arbnor Morina) të ndërmarrin veprime për largimin e posterit dhe dërgimin e përgjegjësve në organet e drejtësisë. Në të njëjtën kohë, i lus aktivistët e Institutit Demokratik të Kosovës (Ismet Kryeziu) të na ndihmojnë në paraqitjen e këtij rasti në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, thuhet në reagimin e Çekut në Facebook.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme