Zgjedhjet lokale

KQZ heq nga listat e votuesve edhe 4 mijë e 656 persona

Megjithëse në zgjedhjet e 11 qershorit, KQZ ka hequr nga lista votuese më shumë se 33 mijë emra të personave të vdekur, pas këtyre zgjedhjeve nga kjo listë votuese, janë larguar edhe 4 mijë e 656 persona, pjesa dërmuese e të cilëve kanë qenë persona të vdekur si dhe persona të cilët kanë hequr dorë nga nënshtetësia.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress, se mbajtja e zgjedhjeve lokale, në një kohë të afërt me ato parlamentarë, ka ndikuar në cilësinë e listës së votuesve. Elezi thotë se pas çdo procesi zgjedhor, KQZ është angazhuar maksimalisht, në drejtim të përmirësimit të listës votuese, në mënyrë që ajo të jetë sa më e saktë.

“Për zgjedhjet e 11 qershorit, janë hequr më shumë se 33 mijë emra të personave të vdekur. Pra dhe ky përmirësim që është bërë atëherë, ndikon në cilësinë e listës votuese të zgjedhjeve lokale. Megjithatë edhe pas këtyre zgjedhjeve KQZ në bashkëpunim me agjencionin për regjistrin civil, është angazhuar në pastrimin e mëtejshëm të listës votuese. Në këtë drejtim kemi rezultate. Janë 4 mijë e 656 persona të cilët janë larguar, nga lista votuese pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Këta janë emra të personave të vdekur, apo që kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës. Duhet ta themi që pjesa dërmuese prej kësaj shifre, janë persona të vdekur, të cilët janë larguar nga lista votuese, me qëllim të pastrimit të kësaj liste”, tha ai.

Sipas të dhënave të KQZ-së janë 1 milion e 890 mijë e 952 votues, 899 qendra të votimit dhe 2 mijë e 505 vendvotime. Ndërkaq numri i votuesve të rinj është 18 mijë e 11. Elezi thotë se prej tyre 14 mijë e 176 janë votues të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2017, kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç dhe që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale më 22 tetor 2017. Ndërkaq 3 mijë e 835 votues që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2017, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil, midis dy palë zgjedhjesh ose votues që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2017.

“Sa i përket listës përfundimtare të votuesve KQZ ditë më parë ka bërë certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet lokale të datës 22 tetor. Lista votuese për zgjedhjet lokale të këtij viti përmban 1 milion e 890 mijë e 952 emra të votuesve. Të gjithë këta votues janë të shpërndarë nëpër 38 komuna të republikës së Kosovës, pra në 899 qendra të votimit, me gjithsej 2 mijë e 505 votime... Sa i përket votuesve të rinj, lista përfundimtare e votuesve, përmban 18 mijë e 11 votues të rinj, prej tyre pjesa më e madhe 14 mijë e 176 janë votues të rinj, që pas zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur me 11 qershor, kanë arritur moshën 18 vjeç dhe pra që do të jenë votues për herë të parë. Ndërkaq 3 mijë e 835 votues janë pra votues të rinj, por që nuk kanë qenë votues në listën përfundimtare të votuesve në zgjedhjet e 11 qershorit 2017”, tha ai.