Zgjedhjet lokale

Vetëvendosje në Ferizaj premton se shëndetësinë, arsimin dhe kulturën do ta kenë prioritet

i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt, në tubimin zgjedhor të mbajtur në këtë komunë, ka thënë se me 22 Tetor Ferizaj do të vendosë fuqishëm kundër nënçmimit që i është bërë nga gjitha qeverisjet e kaluara.

Ai tha se pushteti qendrorë në vazhdimësi e ka margjinalizuar Ferizajn, duke kujtuar lënien pas dore të autoudhës që lidhë Ferizajn me Shqipërinë dhe asaj që lidhë këtë komunë me Maqedoninë.

“Pushtetet e deritanishme në Ferizaj asnjëherë nuk u angazhuan të jenë pjesë e projektit të rehabilitimit të hekurudhës që kalon nëpër zemrën e qytetit tonë“, tha Topalli.

“Ne do të ndërtojmë çerdhe të reja, çdo 24 muaj nga dy, do ta fuqizojmë arsimin, punësimin e grave dhe të rinjve sipas kritereve që vlejnë për të gjithë njësoj. Fëmijët nëpër shkolla do të kenë shujta cilësore dhe siguri. Shkollat do të kenë laboratorë kimie, fizike e biologjie, dhe do të kenë oborre të bukura e me hapësira të caktuara sportive“, shtoi Topalli.

Tutje, ai tha se qeveria e tij do ta ketë prioritet të veçantë edhe shëndetësinë, dhe do të investojë më shumë për zhvillimin e artit e kulturës në Ferizaj.

Duke bërë thirrje që të votohet ndryshimi, Topalli ka prezantuar edhe 45 kandidatët për Kuvendin të Ferizajit, për të cilët tha se janë njerëzit që do ta mundësojnë zhvillimin bashkëkohor të kësja komune.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka filluar fjalimin e tij në Ferizaj duke thënë se fitoret e vërteta janë bashkime popullore.

“E ardhmja për Ferizajn është e garantuar sepse bashkimi e angazhimi po ndodh tash. Vetëm kështu shpresa shtyn drejt realitetit dhe i largohet iluzionit. Kush shpreson punon. Kush punon ka arsye për të shpresuar. Ferizaj ka shpresë sepse puna ka filluar. Fatoni ka fat sepse është i Ferizajit. Ferizaj është me fat se do të marrë shërbimet nga FatonTopalli”, tha Ymeri.

Teksa ka folur për kundërkandidatët e Faton Topallit, ai ka thënë se ata do të humbin përballë Faton Topallit, dhe asnjëri nga ta nuk mund të japin diçka të mirë, pasi që janë brenda projekteve të gabuara.

“Për Ferizajn, 22 Tetori është datë e veçante. Deri tash Ferizaj e ka njohur Lëvizjen si rezistencë. Shumë më herët, gjatë viteve të 80-ta, Ferizaj e ka njohur edhe Faton Topallin në rezistencë. Por, pas 22 Tetorit, Ferizaj do t’i njoftojë Fatonin bashkë me Lëvizjen në qeverisje, në shërbim të qytetarëve”, tha Ymeri.

Ai shtoi se duke e votuar numrin 10, e kandidatët për Kuvendin Komunal, Ferizaj do ta fitojë përparimin, barazinë, rregullin, pastërtinë, gjelbërimin, ambulantën, shkollën, mjekun, mësuesin, punën, bujqësinë, shërbimin, publiken.

Në këtë tubim, Donika Kadaj, tha se herën e fundit kur ajo dhe VV ishin në Ferizaj, panë vullnet e entuziazëm të madh.

“Ju vetë na treguat me 11 qershor se për kë rrugë jeni përcaktuar. Ju e votuat në shumicë listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje!. Por tash kemi mbërritur në muajin tuaj. Muajin e zgjedhjeve për komunën tuaj, për jetën tuaj të përditshme. Ju na keni mësuar se ka ardhur koha e qeverisjes së Vetëvendosje!-s”, tha ajo.

Më pas, ajo ftoi qytetarët që ta mbështesin Faton Topallin dhe listën e kandidateve tona për Kuvendin Komunal të Ferizajt.

“E di që për Fatonin do të votoni krejt, ndaj do ju lutesha të mbështesni pa rezervë gratë dhe vajzat në listën tonë për Kuvendin e Ferizajt. Ne kemi programin socialdemokrat që mbështet pa rreshtuar vajzat dhe gratë, e veçanërisht nënat e reja. Por është e domosdoshme që këtë program tonin ta paraqesin me zërin e tyre në kuvend vajzat e gratë e Ferizajit, kandidate të Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi ajo.