Kurti thumbon Isa Mustafën në tubimin në Ferizaj: S’fitohet me duar në xhepa

Kurti thumbon Isa Mustafën në tubimin në Ferizaj: S’fitohet me duar në xhepa

24 shtator 2017 18:29

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën sot në qytetin e Ferizajt, ku është bërë thirrje të votohet kandidati për kryetar komune, Faton Topalli, dhe kandidatët për Kuvendin Komunal. Tubimi është hapur nga deputeti Albin Kurti, i cili qysh në fillim tha që Vetëvendosje! e ka konceptin e drejtë dhe programin e kandidatin më të mirë për Ferizajn.

“Unë ju ftoj të gjithë juve dhe secilin prej jush që të shtrëngoni duart e qytetarëve në secilën lagje dhe në secilin fshat”, iu tha Albin Kurti pjesëmarrësve në këtë tubim, me ç’rast ironizoi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte thënë se do të fitonte me duar në xhepa.

“Le të shikojmë përpara, le të shikojmë edhe prapa, për të ecur përpara”, ishte thirrja e deputetit Kurti në këtë tubim.

Më tutje, ai ka kritikuar qeverinë qendrore, duke thënë se qeveria aktuale nuk po guxon ta shkarkojë ministrin e dyshuar për krime, Nenad Rikalon, të cilit ia ka besuar ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë.

Kurti u shpreh i bindur se me 23 tetor do të ketë festë për Ferizajn dhe gjithë Kosovën sepse do të fitojë Lëvizja Vetëvendosje, teksa ka ftuar mërgimtarët që ditën e zgjedhjeve të votojnë sa më shumë.

“Qytetarët do ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, e cila çka premton - e realizon, sepse çka fillon - e përfundon. Të dashur qytetarë të Ferizajt, Fatoni është fati ynë për arsimin, Fatoni është fati jonë për zhvillimin, Fatoni është fati jonë për transparencën, Fatoni është fati jonë për kompetencën, Fatoni është fati jonë për shëndetësinë, Fatoni është fati jonë për përgjegjësinë. Pas 22 Tetorit Fatoni është fati i mirë për të varfrit, të shtypurit, të shfrytëzuarit, të shkelurit, të diskriminuarit e të stigmatizuarit në Ferizaj”, ka thënë veç tjerash Kurti, duke bërë thirrje që qytetarët e Ferizajit ta votojnë numrin 10.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme