Shpend Ahmeti prezanton 100 zotimet Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Shpend Ahmeti prezanton 100 zotimet

24 shtator 2017 17:02

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti ka prezantuar 100 zotimet për mandatin e ardhshëm qeverisës, ku tha se Prishtinën do ta bëjnë të barabartë me kryeqytet tjetër, derisa akuzoi koalicionin PDK-LDK se i ka bllokuar në disa projekte, por e do të çlirohen nga ta më 22 tetor.

Duke prezantuar 100 zotimet për mandatin e ardhshëm, Ahmeti fillimisht u ndal te qyteti i pastër dhe projekti për mbledhjen e mbeturinave, pastaj tha se qytetarët do ta kenë shërbimin e kartelës së Prishtinës e cila do të jetë për pagesat pa para të gatshme për shërbimet që ofron komuna, E-inspektorin, pastaj do të bëjnë një rregullore të re për orarin e punës së kafiterive, ku duhet të gjendet një balancë në mes qytetarit dhe kafiterive, si dhe një strehimore regjionale të strehimit të qeneve endacakë, raporton KP.

“Prej një janari të vitit 2018 faturat e bërllokut do të paguhen direkt në komunën e Prishtinës, do t’i paguani në bazë të tatimit në pronë, dhe është bërë tarifa sipas rregullores së re që kemi. Kjo neve na mundëson pavarësinë që ne pastaj të marrim operator sipas nevojës që kemi, dhe kjo neve na lehtëson që në fillim të vitit 2018 ta bëjmë orarin e ri logjistik për mbledhjen e mbeturinave .... Do t’i mbledhim mbeturinat në kohën kur nuk i pengojmë qytetarëve ashtu siç edhe janë ankuar qytetarët shumë e shumë gjëra. Po ashtu do të shkojmë me E-kioskin të cilin e kemi bërë për dhënien e certifikatave në komunën e Prishtinës, atë do ta shtrijmë në çdo bashkësi lokale”, tha Ahmeti.

Ai ka përendur që fusha e dytë prioritare është lagjja me sport dhe rekracion, ku janë vendosur që do të investohen 4 milionë euro. Ahmeti tha se po ashtu kanë paraparë kalimin e pallatit të rinisë në ndërmarrje komunale.

Duke u ndalur te mobiliteti dhe parkingjet në lagje, ka thënë se në hyrje të qytetit do të jenë katër parkingje, por gjithashtu është paraparë edhe projekti nëntokësor te Fakulteti Filologjik.

“Do t’i bëjmë biletat e integruara në transportin publik, që një biletë vlen për krejt transportin publik, do t’i kemi programet e lirimit jo vetëm për të moshuarit por do t’i kemi programet e lirimit edhe për nxënësit dhe studentët në komunën e Prishtinës, do ta ndërtojmë stacionin e ri qendror të transportit publik në Prishtinë dhe siç e potencova e kemi prioritetizimin e shtigjeve të biçikletave, shtigjeve pedonale, shtegun e biçikletave prej Gërmisë në Badovc, rripin e gjelbër pedonal, që do të jete një rrip i ecjes prej rrethi të flamurit e deri në Gërmi, dhe po ashtu dua ta potencojë edhe një gjë shumë të rëndësishme, ajo është zgjidhja e problemit të parkingut në komunën e Prishtinës.... Është interesant që parkingun nëntokësor tek fakultetit filologjike e kemi gati qe 1 vit e gjysme por që koalicioni PDK-LDK na e bllokojë për një vit e gjysmë, u çliruam goxha më 11 qershor, do të çlirohemi më shumë më 22 tetor, nuk do të ketë ndalesa të tilla”, tha ai.

Shpend Ahmeti ka përmendur edhe një herë çështjen e tregjeve, ku do të ketë treg të ri të gjelbër, dhe ndërmarrje publike që do të menaxhojë të gjitha tregjet. Ai premtoi edhe shportat e reja, ulëse të reja, kioske të reja dhe pritoret të autobusëve të reja me vailes.

Ahmeti u ndal edhe te shëndetësia, duke përmendur themelimin e spitalit të qytetit, si dhe një qendër për autizëm dhe sindromën Down. Por nuk e harrojë edhe zhvillimin ekonomik.

“Tashmë kemi identifikuar pronat publike të cilat do t’i japim në shfrytëzim për prodhim e për punësim. Ata të cilët duan të hapin fabrika në komunën e Prishtinës ne do të iu ofrojmë tokat komunale, në mënyrë që edhe infrastrukturën edhe çmimin e tokës mos ta kenë si barrë për zhvillim dhe tashmë i kemi edhe interesimet e para”, u shpreh Ahmeti.

Duke u ndalur te turizmi, ai ka thënë se kanë ndarë 200 mijë euro për të ndërtuar info turizmin, derisa ka përmendur edhe investime tjera, të cilat do të mundësonin zhvillimin edhe më të madh të turizmit kë Prishtinë.

Kurse, sa i përket infrastrukturës në art dhe kulturën, ku do të ketë investime, por atë që përmendi është ndërtimi i një sallë koncertale.

Ahmeti ka folur edhe për investimet në infrastrukturë dhe mirëmbajtjen e ndërtesave.

“Ky libër prej 60 faqeve është zotim përpara qytetarëve se Prishtinë do ta bëjmë qytet në çdo lagje dhe do ta bëjmë të barabartë me çdo kryeqytet tjetër”, tha ai.

Krejt në fund, Ahmeti tha se gjatë katër viteve e kanë gjetur Prishtinën të zaptuar dhe nga kriminaliteti që ka kapluar shtetin tonë, e në të njëjtën kohë ka kërkuar nga qytetarët që t’i japin krah Prishtinës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme