Zgjedhjet lokale

Faton Jakupi premton zgjidhje për problemet e qytetarëve në Kamenicë

Kandidati për kryetar të komunës së Kamenicës nga radhët e AAK-së, Faton Jakupi, ka premtuar se me ardhjen e tij në krye të kësaj komune do të punojë për zgjidhjen e problemeve esenciale të qytetarëve, duke thënë se Kamenica ka nevojë për shumë ndryshime.

Ai ka thënë se dora e qeverisjes qendrore në komunën e Kamenicës ka munguar tash e sa kohë, por shpreson se me qeverisjen Haradinaj do të ketë ndryshime pozitive.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se banorët duhet të kthehen për të jetuar në këto treva që ndodhen në afërsi të kufirit.

“Pushteti i nivelit nacional dhe lokal duhet të ketë vullnet. Ka pasur raste ku ka shkuar asfalti, ujësjellësi. Por, edhe familjet, të cilat punojnë e guxojnë të kthejnë jetesën në këto treva. Në nivel nacional besoj e keni përcjell që ne jemi qeveri që vepron dhe i përballon të gjitha temat. Unë e kërkoj nga ju besimin e juaj në këto zgjedhje lokale. Jeta jonë nuk është vetëm në qendra e qytete, por dëshira ime është për të kthyer trevën edhe nëpër fshatra”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Haradinaj dhe kandidati për të parin e Kamenicës, të shoqëruar edhe nga bashkëpartiakët e tyre dhe qytetarë të Kamenicës kanë ecur këmbë për 5 kilometra, duke filluar nga e ashtuquajtura “Reka e Kremenatës” deri te fshati Kremenatë.

Kremenata është fshat kodrinor-malor. Ky fshat po ashtu është edhe në afërsi të kufirit me shtetin serb.