Zgjedhjet lokale

Limaj: Vota për Nismën është votë për të ardhmen e vendit

Lideri i Nismës për Kosovën ka paralajmëruar subjektet tjera politike se po përgatiten për një befasi të madhe më 22 tetor, derisa kandidatët për kryetar i ka porositur që të mos shkojnë në komuna e të sillen si sundimtarë, pasi sundimtari i Kosovës është vetëm populli.

Nisma për Kosovën do të jetë gjithmonë aty ku ka nevojë qytetari i Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, në Konventën Elektorale të Nismës, i cili ka siguruar qytetarët e Kosovës se Nisma siguron mbajtje fjale, angazhim e dinamikë në përmbushjen e detyrave që iu dalin përpara, raporton ksp.

Limaj ka porositur kandidatët e subjektit që ai e drejton, të cilët garojnë për kryetarë komunash dhe asamble komunale që të mos harrojnë se gjithçka që arrijnë është rezultat i mbështetjes që populli u jep, duke i porositur ata që të mos sillen si despot, por të punojnë për të shpërblyer besimin e qytetarëve.

“Mos shkoni në komuna e të silleni si sundimtarë. Sundimtari i Kosovës është vetëm populli i Kosovës dhe jo politikanët. Mos harroni asnjëherë se mijëra njerëz iu kanë zgjedhur dhe iu kanë dhënë besimin, ju pa ta jeni askush. Në ditën e parë në zyrë e deri në ditën e fundit mos harroni jeni të zgjedhur të qytetarëve, nuk jeni më të mirët, ka edhe shumë të mirë në komunat tuaja, por në këtë moment qytetari iu ka zgjedhur ju, dhe është shumë me rëndësi për ju, jo se si futeni në zyrat tuaja por si do dilni nga ato zyre kur ta kryeni mandatin tuaj. Njerëzit në zyre do t’iu dërgojnë duke festuar fitoren tuaj, unë pres që edhe kah të dilni nga zyrat, ata t’iu mirëpresin dhe t’iu kërkojnë kandidimin tuaj edhe për një mandat tjetër”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka potencuar se Nisma është duke përgatitur një befasi të madhe, të cilën qytetarët e Kosovës do ta kenë fatin ta përjetojnë ditën e zgjedhjeve, përkatësisht më 22 tetor.

“Ju siguroj që çdo qytetarë i Republikës së Kosovës, çdo qytetarë atje në komunat tuaja ka të njëjtën ëndërr, atë që e keni ju, për ta ndryshuar e për ta rregulluar mirëqenien në komunat nga vini ju. Prandaj të ngrihemi të gjithë në këmbë, të fillojmë këto ditë që na kanë mbetur dhe ta afrojmë atë që zakonisht e ofron Nisma. Porosia ime është për të tjerët, ne po përgatitemi për një befasi të madhe, do ta shihni më 22 tetor befasinë e madhe të Nismës për Kosovën. Urime dhe suksese. Vota për Nismën, është votë për të ardhmen e Kosovës”, tha Limaj.

Më tej ai ka shtuar se ka dëgjuar disa deklarata të çuditshme se në Kosovë nuk ka nevojë të flitet për patriotizëm, Derisa për patriotizëm flitet edhe në Amerikë.

“Ne kemi më shumë se kurrë nevojë në patriotizëm, e për mua patriotizmi është përkrahja e prodhimit vendor, për t’i ndihmuar bujkut, t’ia mundësosh studentit një shkollim si duhet, me e rrit mirëqenien e Kosovës, pensionistit me ia zgjat dorën, e mos ta lemë rrugëve. Ka lloj-lloj patriotizmi, patriotizmi i sotëm në Republikën e Kosovës, është mirëqenia, zhvillimi, fuqizimi i shtetit tonë që çdo kush me qenë krenar me atdheun e vet”, tha ai.

Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA-s, Jakup Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës janë me fat që në zgjedhjet e 22 tetorit kanë kandidatë me vlera të qarta social-demokrate, që janë roje të lirisë, të drejtësisë dhe të solidaritetit.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë pasur rastin si tani, të zgjedhin për qeverisje lokale si tani qeverisjen që ju e ofroni për shërbime për katër vitet e ardhshme. E kanë rastin të zgjedhin mes mashtruesve dhe grabitësve të deritashëm të pasurisë publike, mes njerëzve të besës e të parimeve social demokrate që shërbimin për publikun e kanë qëllim”, është shprehur ai.

Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi, ka porositur bashkëpartiakët e tij që të mos shkëputen nga populli sepse herët e vonë do të ballafaqohen me të, përderisa ka thënë se Nisma po rritet shpejt.

“Rritja e Nismës do të jetë e pandalshme, aq e pandalshme saqë do t’ua zë frymën shumë të tjerëve”, tha Sherifi.

Ai gjithashtu është zotuar para të pranishmëve se besimin që qytetarët ua kanë dhënë atij dhe Nismës, do t’ua kthejnë me punë dhe vepra të mira.