Vetëvendosje e bindur se Gjilanin do ta ndryshojnë me kryetar Kurteshin

Vetëvendosje e bindur se Gjilanin do ta ndryshojnë me kryetar Kurteshin

23 shtator 2017 18:20

Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot tubimin elektoral në Gjilan, ku i pranishëm ishte kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja nga ky qytet Besa Baftiu dhe kandidati për kryetar komune i Gjilanit, Sami Kurteshi.

Deputeti Albin Kurti, ishte ndër përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që iu drejtua gjilanasve. Para tyre, ai tha se Gjilani është djep i veprimtarëve të ndryshëm kombëtar dhe për këtë meriton një kryetar atdhetar si Sami Kurteshi.

Duke i potencuar vlerat e kandidati të Vetëvendosjes, Kurti nuk la pa e thumbuar edhe qeverisjen aktuale të Gjilanit, qeverisje kjo që sipas tij, e ka trashur pushtetin dhe ka rrudhur komunën.

"Në Gjilan është trashur pushteti dhe është rrudhur komuna. Në Gjilan kemi decentralizim të territorit mbi baza etnike dhe centralizim të parasë mbi baza klanore. Me fitoren e Vetëvendosjes, Gjilani do të ketë decentralizim mbi baza qytetare dhe subvencionim mbi baza prodhuese. Sami quhet ndryshimi, Sami quhet zhvillimi, Sami quhet përparimi, Sami quhet bashkimi”, tha Kurti.

Kandidati për kryetar komune, Sami Kurteshi, tha se ndihet i nderuar për detyrën sfiduese që ka marrë për të ia kthyer Gjilanit dinjitetin.

“Njerëzit nuk presin nga qeverisja jonë që të zgjidhë të gjitha problemet e krijuara me dekada, sidomos këto të shtresuara tani e 17 vite nga dy partitë, dhe pushtetarë të padijshëm, zhvatës e mashtrues ordinerë, që jo vetëm e kanë sakatosur e ngulfatur Anamoravën me decentralizimin enklavizues dhe ndarës, por edhe kanë keqqeverisur me Kosovën, me një të ngritur dore, dhe me ulje të vazhdueshme koke”, tha Kurteshi në tubimin në Gjilan.

Kurteshi u zotua se me qeverisjen e tij do të kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur i qytetarit nga keqqeverisja shumëvjeçare, përmes fuqizimit të rolit të tij në vendimmarrjen publike. Ai premtoi dyfishimin e numrit të çerdheve dhe institucioneve parashkollore, shujta falas për nxënëset/it e klasave të ulëta nga I-V, shërbime të rregullta mjekësore dhe stomatologjike në shkolla, me qëllime parandaluese dhe ndërgjegjësimi të fëmijëve, kabinete e laboratorë shkollorë, do të pajisim shkollat me biblioteka e kënde leximi, e do të përkrahim mësimdhënësit për ngritje të vazhdueshme profesionale, si dhe investime në shëndetësi, bujqësi e kulturë. Ai ka shpalosur edhe prioritete të tjera, siç janë transparenca e llogaridhënia, angazhimi për administratë efikase dhe për barazi në punësim,

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka filluar fjalën duke kujtuar datën 7 qershor të këtij viti në Gjilan, që ishte dita e parafundit e fushatës për zgjedhjet qendrore, me ç’rast po mbahej tubimi përmbyllës në të njëjtën sallë ku po mbahej edhe sot.

“Atë ditë nuk na zuri kjo sallë. Dolëm në shesh para teatrit. Shihej qartë që në Gjilan kishim fituar. 4 ditë më pas u bë e qartë që në Kosovë kishim fituar As sot salla nuk po na zë. Edhe sot është e qartë që në Gjilan kemi fituar. Edhe më 22 tetor do të bëhet e qartë që kemi fituar në tërë Kosovën. Kundërshtarët po lodhen kot. Por nuk ka rëndësi, sepse edhe ashtu të lodhur kanë qenë dhe të lodhur kanë mbetë. Por Gjilani ka plot energji. E Sami Kurteshi është njeri i palodhshëm. Ashtu siç e do Gjilani. Kudo e kurdo që ka qenë i ka shërbyer kombit, përpjekjes çlirimtare, drejtësisë, barazisë”, tha Ymeri.

Duke folur për kandidatin për kryetar të kësaj komune, Sami Kurteshin, ai tha se më të u takuan në protesta, në ditët e kundërshtimit të demarkacionit e Zajednicës.

“Me të janë takuar gati secili në sheshet e Kosovës para se të takohen në zyrat e administratës. Te ne në Lëvizje erdhi bashkë me Shyhreten – çiftin që jam krenar që i njoh, e që bashkëpunojmë. Është një çift aktivistësh që tërë jetën ia përkushtuan përparimit të atdheut, vendit e komunës. Edhe kur Samiu ishte në institucione, aty ishte i popullit, Avokat i popullit. Deputet i popullit. Dhe tash do t’i shërbejë Gjilanit. Ashtu siç e kërkoni e e meritoni ju. E jo siç ka bërë Lutfi Haziri”, shtoi më tutje Ymeri.

Besa Baftiu, e cila është edhe kryetare e qendrës së VV-së në Gjilan, tha se data 22 tetor do të jetë fitorja e dytë e madhe për Gjilanin, VV-në dhe gjithë Kosovën. Ajo u shpreh e bindur për fitoren e Sami Kurteshit.

“Këtë fitore të Vetëvendosje!-s po e presim me padurim sepse jemi lodhur nga keqqeverisjet tash e 18 vite në komunën tonë, e që ranë në kurriz të secilit qytetar të ndershëm të komunës tonë. Për këto 18 vite, Gjilani pësoi degradimin dhe izolimin më të madh ekonomik. Gjilani nga një qytet me industri dhe fabrika, u shndërrua në një qytet të kafiterive, qendra të konsumit”, tha Baftiu.

Ajo shtoi se Gjilani sot vuan nga mungesa e arsimit cilësor, shërbimeve jokualitative shëndetësore, shërbimeve joefikase në administratën publike e punësimeve vetëm me libreza partiake .

“Të gjitha subjektet që kanë qeverisur në Gjilan, i fituan votat për t’i përmisuar pikërisht këto shërbime, por asnjëra prej tyre nuk përmirësoi jetën e qytetarëve të komunës sonë. Prandaj, duhet dhënë fund logjikës së qeverisjes përmes mashtrimeve, premtimeve të kota, korrupsionit dhe demagogjise”, shtoi ajo.

Tutje, ajo tha se Sami Kurteshi është kandidati më i mirë për Gjilanin duke potencuar se premtimet dhe zotimet e tij dhe ekipit të tij janë premtime të realizueshme dhe të zbatueshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme