Ahmeti tregon se çfarë do të bëjë me tregjet e Prishtinës

Ahmeti tregon se çfarë do të bëjë me tregjet e Prishtinës

23 shtator 2017 15:51

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë në një komunikatë për media ka thënë se tregjet në Prishtinë deri më tani kanë funksionuar si Ndërmarrje Shoqërore nën menaxhim të AKP-së.

Ka thënë se Komuna e Prishtinës në mandatin e parë është fokusuar në krijimin e Tregut Mobil për prodhime vendore, projekt ky po iu mundëson prodhuesve tanë t’i shesin produktet e tyre nëpër lagjet e Prishtinës.

Në mandatin e radhës, fokusi do të jetë në revitalizimin e tregjeve statike në Komunën e Prishtinës.

“Tregu i Gjelbër – Në vitin 2016 Komuna e Prishtinës ka prezantuar projektin e tregut të ri në Zonën Historike, në lokacionin ku momentalisht gjendet AKP. Ajo tokë është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe në të do të vendoset tregu i ri i rrethuar nga hapësira komerciale, duke ruajtur çdo dru dhe çdo gjelbërim në atë pjesë. Po ashtu, parashihet që aty të ndërtohet edhe një parking mesatar nëntokësor për të përmbushur nevojat e tregut. Projekti fillon zbatimin në vitin 2018”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Tregu në Ulpianë – Do të revitalizohet në përputhje me kërkesat e lagjes, por edhe duke përmirësuar dukshëm kushtet dhe dukjen e asaj hapësire. Realizimi i këtij projekti do të nis në vitin 2019”.

Për tregun me shumicë, Vetëvendosje thotë se për shkak se një pjesë e tij është e vendosur në pronë të Ndërmarrjeve Shoqërore të menaxhuara nga AKP-ja, shitësit shumë shpesh janë ballafaquar me probleme të qirasë.

“Gjatë mandatit të dytë do të bëhet zgjidhja e vendosjes përfundimtare të tregut, qoftë përmes rregullimit të statusit të pronësisë në mes të AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, qoftë përmes kalimit nën menaxhim të plotë të tregut në Komunën e Prishtinës”.

Për tregun e automjeteve Vetëvendosje thotë se statusi i tij do të rregullohet, për shkak të interesimit shumë të madh që ka për atë treg.

“Është ndër tregjet më të frekuentuara. Do t’i bëjmë të gjitha investimet e nevojshme ashtu që të jetë sa më funksional”.

“Të gjitha këto do ta krijojnë një Ndërmarrje Publike Komunale, që do të quhet ‘Tregjet e Prishtinës’. Ajo ndërmarrje do të funksionojë dhe do të mirëmbahet nga të hyrat që i merr prej shfrytëzimit të hapësirave nga shitësit. Ata para do t’i shfrytëzojmë për investime të reja në ato pjesë. Me funksionalizimin e tregjeve të reja, do të arrijmë t’i mënjanojmë edhe shitësit ilegalë ambulantë nga hapësirat publike në Prishtinë”, tha kryetari Shpend Ahmeti, përderisa prezantoi projektin për tregjet në Prishtinë.

Para kësaj konference, ish-shefi i kabinetit të ish-kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli ka kritikuar udhëheqjen aktuale për gjendjen aktuale në tregun e gjelbër në Prishtinë. Kandidati për asamblist i LDK-së ka bërë një video live në rrjetin social Facebook duke thënë: “Tregu u bo si Kandahar pat thanë. Kemi me rregullu pat thanë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme