Zgjedhjet lokale

Sadikaj: Jemi gati të përballemi me sfidat e istogasve

Kandidati i PDK-së për kryetar të Istogut, Beqir Sadikaj, ka premtuar se gjatë mandatit të tij katërvjeçar në krye të kësaj komune do të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët në të gjitha segmentet e jetës.

Ai ka thënë se PDK është forcë e ndryshimit dhe si e tillë është e përgatitur për të përballë sfidat në ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.

“Kemi filluar një garë, të cilën e bëjmë në emër të një vizioni për ndryshim. Ne bartësit e këtij vizioni, jemi forca e ndryshimit në vendin tonë gjatë shtet-formimit dhe shtet-ndërtimit. Kemi sjell rezultate për shtetin tonë që nuk imagjinohen nga partitë tjera. Jemi gati t’ju dalim përballë sfidave të ngritjes së cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët, për të qenë në shërbim të nevojave të qytetarëve”, ka thënë ai.

Sadikaj ka premtuar se PDK si forcë për ndryshime do të ofrojë shanse të barabarta pa dallim gjinie e moshe, ndërsa për të rinjtë do të ofrojë kushte më të mira të jetës nëpërmjet programeve të subvencionimit, pasi që Istogu ka nevojë për ndryshim.

“Na jemi ndryshimi që pret qytetari në arsim e shëndetësi, në bujqësi, në infrastrukturë dhe në mbrojtje të ambientit, ne jemi ndryshimi për çdo lëmi që qytetarin e bën dinjitoz dhe krenar me shtetin e vet. Në këtë rrugëtim, falënderoj të gjithë qytetarët që mirëpriten kandidaturën time, në shërbim të tyre për mandatin e ardhshëm në krye të Istogut”, është shprehur ai.