Zgjedhjet lokale

Njihuni me kandidatët për kryetar të Prishtinës

Image

Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti është kryetar aktual i Prishtinës, ka qenë ish-profesor në Kolegjin Amerikan të Kosovës (AUK), ish- drejtor ekzekutiv në Institutin GAP. Ai ka thënë se mandati i parë i VV-së në Prishtinë ka qenë i fokusuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndaljen e ndërtimeve pa leje, ofrimin e shërbimeve bazike publike, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, dhe uljen e pabarazisë. Ai ka thënë se programi i VV-së për mandatin e ardhshëm është i orientuar ashtu që, pasi shërbimet bazike janë kthyer dhe tani është koha që Prishtina të kalojë në fazën e zhvillimit të hovshëm dhe të qenët qytet në çdo lagje. Qyteti në çdo lagje nënkupton qasjen policentrike të kryeqytetit, ashtu që qyteti të jetë i barabartë me shërbime në çdo cep. Ai ka thënë se ka 10 prioritete për mandatin e radhës: lagjja jonë e pastër, me rregull dhe rend, lagjja jonë me sport dhe rekreacion, mobilitet dhe parkingje në çdo lagje, shëndet dhe mirëqenie sociale për të gjithë, prona jonë e barabartë në planifikim, lagjja jonë me arsim të mirëfilltë, zhvillim në çdo cep, art në lagjen tonë, infrastrukturë në çdo lagje, ndërmarrjet publike në shërbim të qytetarëve. Në këto 10 fusha janë plot 100 zotime. Qeverisja në mandatin e parë i ka kushtuar Ahmetit me dy padi kundër tij. Herën e parë ai është paditur nga PDK-ja në muajin e shkuar për punësim të paligjshëm të rreth 500 personave në administratën e Komunës, dhe herën e dytë, dy ditë para fillimit të kësaj fushate, me akuzat për shkelje në fushën e ndërtimeve në Prishtinë.

Image

Arban Abrashi

Arban Abrashi aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës. Në mandatin e kaluar qeverisës ka qenë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, e para tij ka qenë zëvendësministër i Integrimit Evropian. Ka punuar edhe për organizatat ndërkombëtare në Kosovë, Bankën Botërore, UNMIK-un, OSBE-në, UNDP-në. Abrashi, në hapje të fushatës për këto zgjedhje ka premtuar se LDKja do të vazhdojë ta ketë rrugëtimin politik të bazuar në tri shtylla të forta: liri, pavarësi dhe demokraci, ashtu siç e kishte ideuar presidenti historik, Ibrahim Rugova. Ai ka shtuar se programi i LDK-së për qeverisjen katërvjeçare në kryeqytet nuk është i bazuar në fjalë të mëdha, por në veprime konkrete nga njerëz të dëshmuar dhe të përgjegjshëm. “Këta katër vjet që shkuan, ishin katër vjet të humbur për kryeqytetin tonë. Ne nuk e kemi luksin dhe nuk duhet të lejojmë që Prishtina të humbë asnjë ditë tjetër. Nuk e kemi luksin dhe nuk do të lejojmë që cilado komunë e Kosovës të humbë ndonjë ditë”, ka thënë Abrashi. Sipas tij, fokusi i programit parasheh zgjidhje konkrete për të rinjtë, punësim të tyre, hapësira sportive dhe rekreative, arsim dhe shëndetësi më cilësore, ofron përkrahje për gratë dhe fuqizimin e tyre, dhe mbi të gjitha kujdeset për sigurinë e qytetarëve tanë.

Image

Lirak Çelaj

Është i lindur në Prishtinë më 26 mars 1973. Ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve në Degën a Artit Dramatik, drejtimi i Aktrimit më 1995. Në tetor të vitit 1998 u bashkëngjitet radhëve të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, në sektorin për Informim Publik si dhe zëdhënës i kësaj Zone. Pas luftës u zgjodh drejtor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës së Qeverisë së përkohshme. Më 1999 zgjidhet drejtor i Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Deputet në mandatin e parë të Parlamentit të Kosovës. Aktualisht është kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë, shef i Grupit të Këshilltarëve në Kuvendin e Prishtinës dhe zv.ministër në Ministrinë e Drejtësisë. Ka luajtur dhjetëra role në teatër dhe në film, si dhe ka bërë regji të filmit dhe ka shkruar skenarë për film dhe seriale televizive. Aktualisht bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i teatrit të parë privat në Kosovë, Teatrit ODA. Çelaj ka thënë se synim i tij parësor është ta rregullojë trafikun në Prishtinë. Ai ka thënë se mëton, gjithashtu, që kryeqytetin kosovar ta shndërrojë jo vetëm në vend transit, por edhe në destinacion vizitash. Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, ka premtuar edhe uljen e faturës së energjisë nëpërmjet partneritetit privato-publik, si dhe shpalljen e Malësisë së Gollakut zonë të prodhimit organik dhe të turizmit organik.

Image

Arbër Vllahiu

Arbër Vllahiu, kandidat nga AAKja ka qenë shef i departamentit të Arteve Mediale – Akademia Evolucion dhe ish-shef i stafit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Para kësaj, ai ka punuar si shef i Redaksisë për Kosovën – Radio Evropa e Lirë. Së fundi është emëruar zëdhënës i Qeverisë së Ramush Haradinajt. Vllahiu ka paraqitur si pjesë të programit të tij për Prishtinën, zhvillimin ekonomik lokal dhe rural, duke thënë se kjo mund të bëhet përmes partneritetit publiko-privat dhe duke punuar shumë afër me secilin qytetarë. Këtu, ai ka veçuar punësimin, i cili mund të rritet në këtë komunë përmes PPP-së, marrë parasysh se sa e shprehur është mungesa e punësimit tek të rinjtë e Komunës së Prishtinës. Ai ka përmendur se prioritet tjetër i programit të tij qeverisës do të jetë ngritja e infrastrukturës si rrugore, ashtu edhe atë të objekteve institucionale, si shkollore, shëndetësore, etj. Vllahiu e ka përmendur edhe punën që do të bëhet në zonimin e qytetit, duke e bërë këtë në tri zona të Prishtinës, në mënyrë që të shkarkohet qyteti, duke u ndërtuar unazat rrugore të brendshme dhe të jashtme. Pas kësaj, do të vjen shkarkimi i qytetit, shtimi i numrit të autobusëve dhe posaçërisht do të punojmë në zgjidhjen e problemit të parkingjeve, ka thënë Vllahiu. Natyrisht, prioritet është edhe gjelbërimi i qytetit dhe pastërtia. Do të punohet me prioritet në ndryshimin e gjendjes aktuale në “Kodrën e Trimave”, etj ka thënë Vllahiu.

Image

Selim Pacolli

Selim Pacolli, është kandidat nga AKR-ja, e cila pati dalë partia e katërt me radhë në zgjedhjet komunale të vitit 2013, pas LDK-së, VV-së, dhe PDK-së. Pacolli ka lindur më 1969, në fshatin Marec të Prishtinës, ku edhe ka kryer shkollimin që nga fillimi deri në atë universitar. Nga viti 1992 deri më 2004 ka punuar si drejtor në kompaninë “Mabetex Group”, një biznes familjar, dhe pas kësaj deri në vitin 2011 ka qenë drejtor në ATV Media. Gjashtë vitet e fundit ka punuar si drejtor i përgjithshëm i Hotelit “Swiss Diamod” , i “Hotel Prishtina” dhe si kryetar i Bordit në “Mabetex Holding”. Pacolli ende nuk e ka bërë publik programin e tij qeverisës, dhe këtë nuk e ka bërë as kur i është kërkuar nga gazeta.

Image

Shyqiri Bytyçi

Shyqiri Bytyçi, kandidat i “Nismës”, aktualisht është ministër i Arsimit, i emëruar në këtë pozitë vetëm pak ditë më parë. Ai vjen nga Arllati i Drenasit, por jeton në Prishtinë. Është ekonomist i diplomuar dhe kontabilist i certifikuar. Ka punuar si profesionist nëpër organizata të ndryshme private dhe në Administratën Tatimore të Kosovës. Ai nuk ka pranuar që të bëjë publike, në gazetë, programin e tij qeverisës, ndonëse është kontaktuar.

Image

Rifat Deri

Rifat Deri është kandidat i Alternativës, dhe ka kryer studimet postdiplomike për Ekonomi, në Prishtinë. Është ish i burgosur politik në vitet ‘80. Në zgjedhjet e kaluara komunale ka qenë kandidat në listë për Asamblenë nga radhët e VV-së, nga e cila parti është larguar në vitin 2015 dhe është njëri prej themeluesve të partisë politike ‘Alternativa’. Ai ka thënë se pikat kryesore te programit të tij qeverisës për Prishtinën janë: mbrojtja e ambientit dhe mjedisit, urbanizmi, shërbimet publike, kulturë, rini, sport dhe turizëm, si dhe arsimi, por deri të enjten nuk ka dhënë të tjera detaje në lidhje me to.

Image

Avni Çakmaku

Kandidati i partisë “Fjala”punon si kryeteknik në PTK. Është sociolog i diplomuar në UP. Ai ka thënë se intenca e tij dhe e partisë “Fjala” është që të krijojë perspektivën e të jetuarit dinjitetshëm, që qytetari i Prishtinës pushtetin mos ta kuptojë si një plaçkitës. Në mungesë të një strategjie afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit ekonomik, banorët e komunës kanë filluar dhe mund të thuhet se e kanë përfunduar procesin e migrimit nga fshati në qytet, ku pjesa e Gollakut pothuajse është zbrazur, e kjo me qeverisjen tonë do të ndryshojë, ka thënë Çakmaku . “Do ta ndryshojmë politikën fiskale në tërësi, në këto politika do të parashohim sponsorizimin social, politikë e cila në një afat shumë të shkurtër do t’i zgjidhë shumicën e problemeve sociale që janë në Prishtinë”. Ai ka thënë se do të zbresin tatimet në pronë, si dhe do të rishikohen planet urbanistike, të cilat e kanë zhvendosur pothuajse tërësisht industrinë ndërtimore në Fushë-Kosovë e Graçanicë. Në fushën e bujqësisë me projektin që e kemi, periudhën vegjetabile do ta zgjasim në 12 muaj, këtë mund ta arrijmë duke përcaktuar zonën komunale që shtrihet në fshatin Barilevë, Prugovc, Besi, Bernic, Bardhosh, Shkabaj, t’i kyçim në sistemin e ujit të ngrohtë nga termocentralet, e cila mundëson që përgjatë tërë vitit të kemi prodhimtari bujqësore. Zonën e Gollakut do ta stimulojmë për veprimtari blegtorale dhe pemëtari, në periudhë afatmesme do të fillojë industrializimi me industrinë përpunuese të këtyre produkteve.