Haziri e nis fushatën duke sulmuar kundërkandidatët

22 shtator 2017 23:07

Me ovacione është pritur kandidati i LDK-së për të parin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

Fakti se salla e teatrit të këtij qyteti, ishte e mbushur më shumë sesa numri i ulëseve në të, sipas Hazirit, është dëshmi se partitë e tjera nuk kanë vend në Gjilan.

Ai ka sulmuar Partinë Demokratike, të cilët sipas tij, e luftuan LDK-në vazhdimisht, që nga koha e luftës, raporton KTV.

Sulmet nuk i kurseu as ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se “ata që donin t’i përngjanin Marksit e Leninit, e kanë gjetur berberin”.

Kryetari aktual i Gjilanit ka thumbuar edhe dy anëtarët e tjerë të Vetëvendosjes, Ismajl e Sami Kurteshi.

Më të vjetrin e Kurteshëve, Ismajlin, të cilin e kishte mposhtur ne zgjedhjet lokale të 2013-s, e ka quajtur “bac” të ish-avokatit të popullit, që tani synon të marrë kreun e Gjilanit.

Krejt në fund, Lutfi Haziri ka folur për projektet që synon t’i realizojë nëse e merr edhe një mandat.

Krahas rrugëve e rrjetit të ujërave të zeza në qytet e fshatra, ai ka premtuar se Qeveria nuk do të guxojë të ndalë autostradën e Gjilanit.

Në këtë tubim, janë prezantuar edhe 38 kandidatët e kësaj partie për asamblistë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme