Veseli thotë se PDK është forca e ndryshimit të Kosovës Foto: Ilustrim/Koha

Veseli thotë se PDK është forca e ndryshimit të Kosovës

22 shtator 2017 19:28

Partia Demokratike e Kosovës me moton “Forca e ndryshimit” sot pasdite ka hapur fushatën zgjedhore në Prizren dhe ka prezantuar kandidatin për kryetar të komunës, Shaqir Totaj.

Ky subjekt politik synon ta udhëheqë edhe për katër vjetët e ardhshme, qytetin më të lasht në vend, duke ofruar një program qeverisës që premton perspektivë dhe zhvillim për qytetarët e Prizrenit, transmeton ksp.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se askund më shumë se në Prizren nuk mund ta përçojnë mesazhin e përgjegjësisë së tyre për qytetarët dhe askush nuk i jep më shumë kuptim, se sa angazhimi për një jetë më të mirë dhe forcimin e sovranitetit të shtetit.

Veseli tha se ata besojnë në shtetin dhe institucionet, e po ashtu në partnerët e shtetit, sepse janë forca e ndryshimit dhe fitores për Kosovën.

“Të mbledhur sot këtu në qytetin emblematik të Kosovës, si përfaqësues të zgjedhur nga PDK-ja, duam të përçojmë mesazhin e përbashkët të përgjegjësisë, reflektimit dhe vendosmërisë tonë se shteti ynë është i shenjt ashtu sikur edhe liria jonë. Sepse asgjë më shumë nuk i jep lirisë, sesa angazhimi dhe kontributi ynë për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Për zhvillimin e vendit dhe fuqizimin e sovranitetit tonë shtetëror dhe se për këtë qëllim ne të gjithë së bashku, siç jemi mbledhur këtu anë e kënd Kosovës në të gjitha komunat tona, në çdo cep të vendit tonë do të punojmë fuqishëm, pa u ndalur me besimin tek Zoti, duke reflektuar dhe ndryshuar mbi sukseset, meritat dhe gabimet tona. Sepse ne jemi partia e lirisë, partia e veprimit, ne jemi forca e ndryshimit dhe forca e fitores për Kosovën”, theksoi Veseli.

Veseli shtoi se Kosova ka nevojë për fabrika dhe punësimin e të rinjve, ndërsa pohoi, se Kosova do ta kalojë ankthin e papunësisë. Për t’i arritur këto, Veseli tha se ndryshimi fillon me komunën dhe qytetarin

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj tha se e ka gatishmërinë që të jap gjithçka për t’i prirë një misioni sfidues për fitoren e radhës në Prizren.

Totaj theksoi se do të jetë sovran në udhëheqjen e komunës me përgjegjësi morale, politike e ligjore. Ai tha se e vetmja alternativë për Prizrenin është PDK-ja, duke shtuar se ka vizionin për ta zhvilluar Prizrenin. Ai theksoi se misioni i tij është krijimi i kushteve për arsimim të gjeneratave të reja, një sistem arsimor me cilësi e transparencë dhe llogaridhënie. Ai siguroi se do të realizohen projektet infrastrukturore që plotësojnë nevojat e një qyteti dhe ekonomie moderne, duke rikthyer edhe linjën e hekurudhave. Po ashtu, ai tha se do të kujdesen për shërbime cilësore e të shpejta dhe furnizim me ujë 24 orë.

Ai tha se për ta zbutur papunësinë do të krijojnë fondin prej 2 milionë euro, ku do të përkrahen bizneset e vogla dhe të mesme. Totaj shtoi se ka program për fuqizimin e grave, të rinjve, sportin dhe përkrahja e pa rezervë për kulturën.

Kandidati i PDK-së u zotua se në vitin e parë të qeverisjes do ta funksionalizojë parkun e qytetit, kurse gjatët mandatit edhe zonën industriale.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme