Kurti: Nuk ka gjë që do ta ndalë fitoren e Vetëvendosjes

Kurti: Nuk ka gjë që do ta ndalë fitoren e Vetëvendosjes

22 shtator 2017 19:15

Në ditën e dytë të fushatës, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tubim në Prishtinë, ku ka prezantuar kandidatët për asamble komunale në këtë komunë. Në këtë tubim morën pjesë kryetari Visar Ymeri, deputetët Albin Kurti e Albulena Haxhiu, dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, njëherësh kandidat për mandat të ri në këtë post, Shpend Ahemti, u shpreh i bindur se përveç fitores në Prishtinë, VV do të dalë fituese edhe në shumë komuna të tjera.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë numrin 10.  Më tej, ai potencoi faktin se gjatë mandatit të tij katër vjeçar janë përmbushur 12 zotimet e dhëna në fushatën paraprak, duke përmendur në veçanti premtimin pë barazi sociale.

 “Votone numrin 10 dhe jepni krahë Prishtinës”, ishte porosia e tij për kryeqytetasit, pasi që prezantoi veç e veç gjithë kandidatët për Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Deputetja Albulena Haxhiu theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 qershorit, duke i quajtur ato si moment i një kthese të madhe në skenën politike.

“11 qershori ishte dita kur qytetaret votuan për ndryshim dhe me votën e tyre tronditën e ndëshkuan subjektet që kanë degraduar për vite me radhë Kosovën dhe votuan levizjen si subjektin e parë ne Republikën e Kosovës e po ashtu Albini mori përkrahjen më të madhe nga qytetarët e Republikës si kandidat për kryeministër”, tha ajo.

Kryetari Visar Ymeri theksoi se në këtë fushatë zgjedhore VV është duke hyrë si subjekti më i madh politik në Republikën e Kosovës, e edhe në Prishtinë.

“Asnjëherë më parë në historinë elektorale të Kosovës e Prishtinës nuk e gjen dot një subjekt me kaq shumë vota sa Vetëvendosje. Kur protestonin në rrugë, na thanë kur të vini në Kuvend do të bëheni si ne. Ne hymë në Kuvend por si ata nuk u bëmë. Madje e begatuam Kuvendin si kurrë më parë. Atëherë na thanë se kur të vini në qeverisje, do të korruptoheni e korruptoni si ne. Ne qeverisim në Prishtinë me Shpendin tash e 4 vite. Por nuk u bëmë kurrë si ata. Madje e transformuam Prishtinën si kurrë më parë”, tha Ymeri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar disa nga pikat e programit në tubimin e mbajtur në Prishtinë.

Duke iu bërë thirrje të pranishmëve që ta votojnë numrin 10, ai tha, se ky numër është zgjidhja e vërtetë. Duke thënë se Prishtina gjithmonë ka shërbyer si model i zhvillimit për qytetet tjera, si për të mirë ashtu edhe për të keq, ai i fitoi kandidatët për Kuvend Komunal nga VV që të kenë kujdes, duke shtuar se ata janë pasqyrë e qeverisjes.

"Nuk ka gjë që do ta ndalë fitoren e Vetëvendosjes, tha Kurti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme