Zgjedhjet lokale

Katër projektet ideore të Shalës për Pejën

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Pejës, Sabiha Shala, ka prezantuar projektin zhvillimor urbanistik.

Ka thënë se qyteti i Pejës është ngulfatur nga trafiku.

“Pa parkingje të mjaftueshme. Edhe ato qe janë nuk i plotësojnë kërkesat dhe s’janë funksionale. Ne premtojmë që do ta bëjmë një studim të plotë të gjendjes së tanishme të rrugëve të qytetit dhe do të vendosim semaforët digjitalë për të tejkaluar fytet e ngushta të qarkullimit”, ka thënë Shala.

Një tjetër projekt për zgjidhjen e këtij problemi do të jenë parkingjet nëntokësore që do të ndërtohen përmes Partneritetit Publiko-Privat, njëri tek stacioni i trenit dhe tjetri në sheshin ‘Haxhi Zeka”, si dhe përmes dy shesheve të reja, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Ka bashkëngjitur 4 projekte ideore. I pari për stacionin e autobusëve dhe planin e zhvillimit të afarizmit.

“Është projekt i cili do të ndërtohet përmes Partneritetit Publiko-Privat, i cili përmban stacionin modern e ri të autobusëve, parkingun nëntokësor, rrugën mbi hekurudhë, pjesën e afarizmit si dhe pjesën e hapësirave që komuna do t’i jep për inkubatorët e bizneseve dhe shoqatat e ndryshme”, thuhet në njoftim.

Projekti ideor – Sheshi “Haxhi Zeka” dhe parkingu nëntokësor.

“Është projekti cili do të ndërtohet, sheshi nga buxheti, ndërsa parkingu përmes Partneritetit Publiko-Privat. Më këtë projekt do t’i kthejmë qytetarit pronën publike në shërbim, si dhe do ta zbrazim qytetin nga makinat në rrugë përmes parkingut nëntokësor”.

Projekti ideor – Lumbardhi dhe hapësirat freskuese.

“Është projekt i cili do të ndërtohet nga buxheti i shtetit dhe komuna. Unë ju garantoj që do ta përfundoj projektin e impiantit i financuar nga qeveria dhe donatoret e huaj – ku Lumbardhi më nuk do të kundërmojë dhe kanalizimi nuk do të derdhet në të. Ndërsa, do të krijojë hapësira gjelbëruese dhe rekreative anës lumit si dhe përmes digave të vogla do të krijohen hapësira freskuese”.

Projekti ideor – Zgjerimi i unazës

“Është projekt i cili do të analizohet si në aspektin e shpronësimit të pronave sepse në kohën e ndërtimit nga KFOR-i nuk është bërë shpronësimi. Më zgjerimin e kësaj unazeje ne do ta lirojmë qytetin nga makinat si dhe do ta bëjmë më të lehtë qarkullimin rrugor”.