Gusia: Mediat të përkrahin gratë kandidate

Gusia: Mediat të përkrahin gratë kandidate

22 shtator 2017 13:00

Kryeshefja ekzekutive nga Agjencia për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ka kërkuar nga mediat që t’u jepet hapësirë më e madhe grave dhe vajzave kandidate në zgjedhjet lokale.

Gusia këtë deklaratë e ka bërë gjatë prezantimit të hulumtimit “Gratë në mediat e shkruara” për vitet 2014-2015-të.

“Me këtë rast e shfrytëzoj mundësinë ta përcjell mesazhin tek mediat për ofrimin e hapësirës adekuat të grave dhe vajzave kandidate në zgjedhjet lokale 2017. Në hulumtimet që i kemi bërë jo vetëm ne si Agjenci por edhe organizatat nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë jo rrallë here gratë politikane , gratë kandidate kanë cek problemin se atyre nuk iu është ofruar hapësira e njëjtë mediatike për të prezantuar programin e tyre dhe për t’u përfaqësuar denjësisht” , tha Gusia.

Duke pasur parasysh rëndësinë e mediave që kanë në formësimin e mendësisë në luftimin e mentalitetit, në çrrënjosjen e stereotipeve gjinore, Gusia ftoi mediat që të bashkëpunojnë me gratë kandidate.

Ndërsa, Agon Maliqi, udhëheqës i ekipit të këtij hulumtimi, ka thënë se problemi i çështjes gjinore nuk është veç në Kosovë, por është problem global.

“Roli i mediave është problematik rreth çështjeve gjinore, jo vetëm në Kosovë. Këtu shpesh njëfarë lloj ideje që vetëm ne jemi problem. Kjo nuk është problem vetëm i Kosovës por edhe në botë….Në vitin 2010-të në një studim sa i përket sasisë së mbulimit, sa përfaqësohen gratë në raport ne angazhimin e tyre shoqërore është diku 76 për qind e përmbajtjes mediatike merren me atë çka bëjnë burrat. Ndërsa 24 për qind merren me atë se çka bëjnë gratë. Kjo është në nivel botëror si statistika kështu që mos të ndihemi që jemi vetë në këtë problem. Pa dyshim që duhet të merremi edhe ne me këtë çështje”, tha Maliqi.

Ai në bazë të hulumtimit ka gjetur se temat ku më së shumti janë trajtuar gratë ka qenë politika.

“Temat që më së shumti flitet për gratë është pa dyshim politika dhe e dyta është dhuna ndaj grave. Politika pa dyshim jo vetëm për shkak se është e rëndësishme për gratë po për shkak se sistemi është temë që mediat merren në përgjithësi. mirëpo edhe viteve të fundit ka pasur një interesim shumë më të madh edhe mbi rolin e grave në shoqëri dhe politike dhe daljen e disa figurave të nivelit nacional që kanë qenë gra. Prandaj edhe ka dal kjo si përqindje shumë e lartë”, tha Maliqi.

Nga ky hulumtim kanë dal disa rekomandime që në organet vendimmarrëse të mediave të shkruara duhet të krijojnë mekanizma që mundësojnë raportime të balancuar në aspektin gjinore.. Po ashtu bordet redaktorialë të mediave të shkruara të krijohen kushte për ofrim të trajnimeve për gazetë me qëllim të raportimeve profesionale, etj.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme