Haradinaj: Nuk mund të shkatërrojmë vendin e t’ia nisim nga e para, për teket e askujt

Haradinaj: Nuk mund të shkatërrojmë vendin e t’ia nisim nga e para, për teket e askujt

18 qershor 2017 18:33

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur qëndrimin se shumë shpejt do të krijojë qeverinë e re dhe se do të punojë që të kthejë drejt rrugës së mbarë vendin.

Ai ka shkruar në Facebook se rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit i kanë hapur rrugë atij për krijimin e institucioneve të reja.

Ndërkohë më herët gjatë ditës, në Facebook kishte reaguar edhe i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, që kishte thënë se koalicioni PAN po synon të vjedhë ndonjë deputet të LDK-së ose AKR-së dhe më pas të lusë Vuçiqin për të formuar qeverinë në Kosovë. “Nuk jepet Republika për poste”, kishte shkruar ai.

Ky është postimi i Haradinajt:

Defetistët janë ngutur edhe këtë herë për të lansuar lloj lloj tezash për një farë krize imagjinare politike. Ato që i bluajnë në kokat e tyre, po mundohen t'ua mveshin të tjerëve, me shpresë se kështu mund ta ofrojnë veten si shpëtimtarë.

Por ky është një mashtrim utopik ordiner!

Standardet dhe normat zgjedhore, që i kemi në këtë Shtet, kanë prodhuar një rezultat që na hapë rrugën e krijimit të institucioneve të reja dhe kjo gjë do të ndodhë.

Përgjegjësia politike këtë herë është më e madhe se sa mashtrimi utopik, dhe shumë prej të zgjedhurve e kanë kuptuar se nuk ka më kohë për eksperimente për njëfarë Kosove "futuriste"!

Ne do t'i mveshemi punës dhe do ta kthejmë mbar këtë vend, sepse problemet janë të mëdha dhe janë konkrete.

Nuk mund ta shkatërrojmë vendin e t'ia nisim nga e para, për tekat e askujt.

Është derdhur gjak e djersë për ta krijuar këtë Kosovë, kështu siç e kemi, dhe askush nuk do ta ketë mundësinë e as fuqinë që ta rrezikojë ecjen përpara të vendit.

Kosova do të bëhet dhe do ta ketë Qeverinë e saj, shpejt!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme