Zgjedhjet lajme

Kurti: Qytetarët votuan që PDK-ja të shkojë në opozitë

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje Albin Kurti, ka ritheksuar se Lëvizja Vetëvendosje është fituese dhe se qytetarët kanë vendosur me vullnetin e tyre që PDK-ja të shkojë në opozitë.

Kurti përmes Facebook-ut ka thënë se nuk jepet Republika për poste.

”Koalicioni PAN po synon që t’ia vjedh LDK-së ose AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiqin në Beograd për ta formuar qeverinë në Kosovë! Kjo është rrugë e gabueshme me pasoja tejet të dëmshme. Nuk jepet Republika për poste”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Republika nuk jepet

Koalicionet parazgjedhore u formuan në mënyrë që të maskohej rënia e të gjitha partive në Kosovë. Mirëpo, zgjedhjet e 11 qershorit i demaskuan ato duke e bërë Lëvizjen VETËVENDOSJE! fituese, përkatësisht partinë më të madhe në vend, partinë e parë në Kosovë.

Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është rezultat i punës sonë shumëvjeçare, i drejtësisë së orientimit e konceptit, programit e alternativës sonë, i qëndrueshmërisë së mendjes sonë dhe i guximit tonë me zemër.

Njerëzit e gjejnë vetëvendosjen teksa orvaten ta kuptojnë pakënaqësinë politike e sociale të tyre. Prandaj, qytetarët nuk duhet të na i japin neve meritat e tyre. Fitorja është e jona sepse është e tyre.

Pa dallim moshe e gjinie, profesioni e vendbanimi, etnie e feje, qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik që sjell punësim dhe për drejtësi sociale e gjyqësor të drejtë.

Duhet ta zëvendësojmë emigrimin e rinisë me investime nga diaspora, ta zvogëlojmë importin enorm me prodhim vendës, ta ndalim korrupsionin e ish qeverive e të qeverisim pa korrupsion, ta zgjerojmë partneritetin me Bashkimin Evropian dhe ta thellojmë aleancën me ShBA-të, ta shtojmë përkujdesjen shëndetësore pavarësisht të ardhurave mujore apo prejardhjes shoqërore, ta garantojmë cilësinë në arsim nga shkolla fillore te studimet pasuniversitare anekënd komunave të Kosovës…

Qytetarët kanë guxuar. Ata kanë votuar që PDK-ja të shkojë në opozitë. Tash, njerëzit kanë shpresë. Nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e PDK-së.

Koalicioni PAN po synon që t’ia vjedhë LDK-së ose AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiqin në Beograd për ta formuar qeverinë në Kosovë! Kjo është rrugë e gabueshme me pasoja tejet të dëmshme. Nuk jepet Republika për poste.

Maratona sportive nis me shumë e përfundon me pak. Maratona historike nis me pak e përfundon me shumë. Ne jemi bërë shumë, gjithnjë e më shumë. Ata kanë mbetur pak, gjithnjë e më pak.

Historia është klasikë. Politika është avangardë. Ndryshimi me 11 qershor do të jetë historik. Politika jonë është ardhmëria.