Nisma: Jemi rritur për 40%, kemi siguruar 8 mandate – kryeministër do ta kemi Haradinajn Foto: Koha / arkiv / ilustrim

Nisma: Jemi rritur për 40%, kemi siguruar 8 mandate – kryeministër do ta kemi Haradinajn

17 qershor 2017 16:46

Nisma për Kosovën ka mbajtur mbledhjen me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve, të parën pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Kjo parti vlerëson se procesi zgjedhor ka arritur standardet e kërkuara me ligj dhe për këtë uron të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe te të gjithë pjesëmarrësit tjerë që kanë ndikuar direkt ose indirekt që ky proces zgjedhor të përmbush standardet ligjore dhe demokratike.

Nga ky subjekt politik presin që edhe faza e fundit deri në certifikim të rezultateve të përmbyllet në përputhje të plotë me standardet ligjore.

Nisma vlerëson se koalicioni të cilit i përkasin ata, atij bashkë me PDK-në e AAK-në, ka dalë fitues dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës ia dhanë besimin kandidatit të koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj për të formuar qeverinë.

Në këtë mbledhje të kryesisë së Nismas, në mënyrë të veçantë u vlerësua “rezultati i shkëlqyeshëm” i saj në këto zgjedhje.

“Në këto zgjedhje Nisma për Kosovën ka pasur rritje mbi 40%, që është një rezultat shumë i mirë i cili ia mundëson që Nisma për Kosovën në Parlamentin e Kosovës të jetë e përfaqësuar me së paku 8 deputetë”, ka thënë kjo parti përmes një komunikate për media.

“Kjo rritje e rezultatit të Nismas ka kontribuuar në fitoren e koalicionit tonë”, thotë kjo parti.

Po ashtu në këtë mbledhje, kryetari i partisë, Fatmir Limaj informoi anëtarët e kryesisë për hapat që po ndërmerren menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare për krijimin e qeverisë.

“Po punohet që sa më shpejtë, pas certifikimit të rezultateve, të formohet qeveria me kryeministër, z. Ramush Haradinaj, ku Nisma për Kosovën do të jetë pjesë e kësaj qeverie dhe do të merr përgjegjësitë e veta në ndërtimin e kësaj qeverie dhe bashkëpërgjegjësinë në qeverisje si partner i koalicionit”, thuhet në komunikatë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme