Bulliqi: Largimi i ynë nga lista e gjunjëzoi LDK-në në këto zgjedhje Foto: ilustrim

Bulliqi: Largimi i ynë nga lista e gjunjëzoi LDK-në në këto zgjedhje

13 qershor 2017 16:55

Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i LDK-së, Shpejtim Bulliqi thotë se është për keqardhje rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit.

Bulliqi për kp theksoi se kjo situatë e krijuar në LDK është për shkak se elektorati e ka ndëshkuar këtë parti, sepse ka qenë në koalicion me PDK-në dhe janë përjashtuar nga lista për deputetë, njerëzit e çmuar të LDK-së.

Ai shprehet se rezultati zgjedhor nuk i jep hapësirë shumë të madhe pothuajse asnjë subjekti politik për të mundur ta krijojnë shpejt Qeverinë e ardhshme.

Sipas tij, nga këto zgjedhje nuk është që vetëm LDK-ja ka pasur rënie, sepse po del që edhe PDK-në elektorati i saj e ka sanksionuar për shkak të atij koalicioni që është bërë me LDK dhe në njëfarë forme është një rezultat që është relativisht vështirë për ta dhënë një konkludim se si do të përfundojë i tërë ky proces.

Bulliqi është shprehur se LDK-ja nuk duhet të bëjë më koalicion me PDK-në ngase do të ishte vdekjeprurës për këtë parti. Sipas tij, më e shëndetshme është që të LDK të rrijë në opozitë.

Ai thotë se përjashtimi i tij, i Fatmir Rexhepit, i Adem Salihajt dhe i Hatim Baxhakut nga lista për deputetë ka shkaktuar përmbysjen e LDK –së në Gjilan, Ferizajt dhe fitoren e zbehtë në Podujevë.

Duke i marr parasysh krejt këto ndryshime, krejt këto defekte në menaxhimin e LDK-së, Bulliqi mendon që është momenti që të lihen fjalët dhe diskutimet publike, por të thirret Këshilli i përgjithshëm dhe të zhbllokohet nga individët të cilët në njëfarë forme e kanë uzurpuar LDK.

Sipas tij, këta uzurpatorë LDK-në e shohin vetëm si një institucion nga i cili realizojnë të mira dhe interesa dhe assesi si një institucion që duhet përparuar dhe të shkojë përpara. Bulliqi tha se LDK-së po dëshirojnë t’ia ndërrojnë edhe identitetin.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme