Zgjedhjet lajme

Bieber: Përjashtimi i Vetëvendosjes nga pushteti “zgjat status quo-në”

Lëvizja Vetëvendosje është befasia më e madhe e zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, pasi ka dyfishuar besimin e qytetarëve, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014.

Në bazë të rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor, Vetëvendosje ka dalë e dyta me 27% të votave, menjëherë pas koalicionit midis Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i cili ka siguruar 34% të votave.

Pas Vetëvendosjes, me mbi 25%, ka dalë koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës.

Florian Bieber, ekspert për Ballkanin në Universitetin e Gracit në Austri, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e Vetëvendosjes ka të bëjë më shumë me “mungesën e alternativës së partive qeverisëse, me mesazhin e saj anti-korrupsion dhe me udhëheqjen e suksesshme të Prishtinës, sesa me nacionalizmin”.

“Të dyja blloqet e tjera të mëdha udhëheqin parti, të cilat, në një mënyrë ose tjetër, janë në pushtet që dy dekada dhe nuk ka opozitë tjetër përveç Vetëvendosjes”, thotë Bieber.

Zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë vlerësohet se nuk kanë nxjerrë asnjë fitues të bindshëm, i cili mund të formojë lehtësisht qeverinë. Lidhja e koalicioneve paszgjedhore shihet si opsion i domosdoshëm.

Analisti Bieber, duke folur për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, thotë se Vetëvendosje do të paraqesë “problem” edhe në qeveri, edhe në opozitë kur vijnë në pyetje dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe raportet e Kosovës me fqinjët.

Vetëvendosje ka kundërshtuar vazhdimisht bisedimet me Serbinë, duke thënë se procesi e ka rritur ndikimin e shtetit serb në Kosovë, ndërsa ka qenë kundër edhe një marrëveshjeje të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke këmbëngulur se me atë marrëveshje, Kosova humb territor.

“Përjashtimi i Vetëvendosjes nga pushteti, duke krijuar koalicionin e vjetër të madh, nuk do të sillte asnjë ndryshim; do ta linte Vetëvendosjen opozitë të vetme të rëndësishme dhe do të zgjaste status quo-në”, thotë Bieber.

Sipas tij, mënyra e vetme që mund të ndryshojë dinamikën politike është nëse Vetëvendosje hyn në qeveri si parti në koalicion dhe, siç thotë Bieber, sillet si parti e përgjegjshme dhe jo vetëm si parti opozitare.

“Nëse një parti mbahet në pushtet kohë të gjatë vetëm se ofron qëndrueshmëri, por, në anën tjetër, ajo bëhet problem gjithnjë e më i madh me korrupsion dhe me sjellje jodemokratike, atëherë ajo shndërrohet në një problem që rritet dhe opozita kundër saj rritet. Problemi është se kjo opozitë, sidomos në Kosovë, është më pak pozitive shikuar nga marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe nga procesi i integrimit evropian. Andaj, është i nevojshëm dialogu me atë parti dhe jo përjashtimi”, thotë Bieber.

Lëvizja Vetëvendosje, përveçse ka penguar vazhdimisht seancat parlamentare, sidomos për shkak të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ka mbajtur vëmendjen e publikut edhe me akuzat për vdekjen e aktivistit të saj, Astrit Dehari, gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim.

Vetëvednosje ka akuzuar pushtetin për, siç ka thënë, vrasjen e Deharit, dhe ka kërkuar dorëheqjen e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë.

Vetëvendosje po ashtu kundërshton mënyrën e realizimit të reformave ekonomike në Kosovë, sidomos procesin e privatizimit.

Vetëvendosje është themeluar në vitin 2004 dhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 11 qershorit ka pasur Albin Kurtin.